Nga Edona Llukaçaj
Në përpjekjen e vet për një rikthim që do i japë pak mbrojtje nga ajo që shpallja non grata mund të sjellë, ish- kryeministri Sali Berisha, padyshim, që është i gatshëm të sakrifikojë shumëçka me shpresën që të mos humbë gjithçka.
Me mjeshtërinë e manipulimit të masave fituar në karrierën e gjatë politike, plot rrëpira e tapëpjeta, ai po e shfrytëzon si përherë pamëshirshëm situatën në vend.
E keqja është se në luftën që i ka shpallur autoriteteve amerikane dhe që e ka mbështjellë në letër të kuqe çështjesh kombëtare, zotëria në fjalë ka mjaft “aleatë”. Varfëria kërrusëse, drejtësia e ngathët, korrupsioni i shumëpërhapur, meritokracia e munguar, paaftësia e ushqyer, problematikat në arsim e shëndetësi janë disa prej tyre.
Një segment e përqafojnë ‘rithemelimin berishian’ edhe sepse janë lodhur nga arroganca që i ka sjellë pushteti i pak-kontestuar kryeministrit dhe njëkohësisht janë velur nga apatia humbëse e buzëqeshur e kryeopozitarit.
Sidoqoftë, ndërsa të gjithë etiketojnë njëri tjetrin si “peng” i atij apo këtij, diskursi i ish-kryeministrit shpreh qartë se forca politike që pati krijuar me bashkëthemeluesit e humbur vitesh ka qenë gjithmonë peng i tij me gjithë çfarë ka, dhe ndoshta kështu do vazhdojë.
Ai ka filluar të shfaqet herë pas here me bujë para selisë së Partisë Demokratike për të bërë ndonjë deklaratë e për të shpallur ‘nul’ deklaratat e ardhura nga brenda mureve.
Por më shumë se ‘garë nulash’ mes të brendëshmve dhe të jashtëmve, mbledhjet e oborrit janë një mënyrë për t’u treguar seliistëve se kujt i përket ajo seli.
Po ashtu, retorikën e besëprerit, që ndryshon brava se nuk i ka ngelur gjë tjetër në dorë, Berisha e përforcoi me një tjetër cilësim për Bashën, huazuar nga një film italian mjaft i famshëm edhe në Shqipërinë e viteve ’70: atë “të burrit me pantallona të shkurtra”.
Në një bashkëbisedim me gazetarët, ai zgjodhi ta përkufizonte kështu pamjen e birit të vet politik në të parin takim me të. Por orvatja për ta treguar Bashën një çunak që u bë ai që është sot nga lideri historik, shpreh se lëvizjet e ‘rinorit’ Basha janë të mësuara nga vetë Berisha.
Me siguri edhe këmbëngluja për të qëndruar në karrige edhe kur nuk të duan apo ajo e “bravëndërruesit besëprerë” janë pjesë e këtyre mësimeve.
Që Basha ka qenë kryetari i Partisë Demokratike dhe kurrë lideri i saj nuk është sekret. Por pohimi i Berishës se zgjedhja për të bërë pasardhësin e vet “burrin me pantallona të shkurtra” që përmbushte zellshëm çdo detyrë të ngarkuar prej tij hedh dritë edhe mbi llojin e marionetës që Basha është.
Prandaj duket e pamundur që ai t’i zgjatë pantallonat brenda ditës e të bëhet burrështeti me një përjashtim të diktuar e disa fjalime të çjerrura kuvendesh të mbajtura me induksion. Por edhe nëse koha e kërkon këtë, është e qartë se partia e berishianistit më të devotshëm nuk do i ndajë dot rrugët me këtë ideologji.
Ajo që nuk kuptohet në këtë gurgule “kufomash politike”, si janë cilësuar me të drejtë babë e bir nga kryeministri, është se pse ky i fundit heq xhaketën e kollaron kryeministrore studiosh televizive për të thënë të vetën.
A thua se i kishte ngelur hatri se gjatësia e pantallonave të Bashës po merrte më shumë vëmendje se ngjyra e xhaketës së tij. A thua se e gjithë kjo zhurmë nuk është për pushtetin e Bashës.