Profesori Mark Marku, i zgjedhur deputet i PD në zgjedhjet e 25 prillit, por më pas i dorëhequr ka analizuar zhvillimet politike në Partinë Demokratike në emisionin “Kjo Javë” në News24. Marku tha se ajo që shikon është se PD është e hapur ndaj krizës së vet, teksa sipas tij, Kuvendi i sotëm ka dhënë shenja që PD-ja pavarësisht problemeve që ka, mospërputhjeve, në fund është një proces normal.
“Shikoj dy gjëra në këtë Kuvend, po edhe në të gjitha zhvillimet. PD është e hapur ndaj krizës së vet, ka hapur debatin publik dhe të brendshëm për krizë ne vet. Gjë që e kam kërkuar në kongresin e korrikut. Ideja që të bëjmë një analizë, të ftojmë një debat. E konsideroj ndryshimin si proces, jo si akt. Ti mund të marrësh vendim të ndryshosh, por nuk ndryshon dot. Në këtë kuptim faza e parë, aty krijohen premisat e ndryshimit. Ka pasur një përpjekje për ta përdorur pakënaqinë e demokratëve, dëshpërimin, zemërimin, për ta funksionalizuar në favor të përpjekjes së Sali Berishës për të marrë kontrollin e PD-së. Gjë që ka çuar në një sërë veprimesh jo legale, kaotike. Mendoj që ky Kuvend ka dhënë shenja që PD-ja pavarësisht problemeve që ka, mospërputhjeve, në fund është një proces normal. Një Kuvend i thirrur brenda normave statutore, mbi një kuorum të caktuar. Shpresoj që nesër të na jepen të dhënat transparente për delegatët që kanë marrë pjesë”, tha Marku.
Ai deklaroi më tej se ka disa gjëra që e bëjnë të ndryshëm nga Kuvendi i 11 dhjetorit. “Mediat nuk u penguan. Nëse ti mendon që i ke të gjithë elementet që e bëjnë veprimin tënd të ligjshëm, nuk ke pse i pengon mediat. Pse duhet t’i largojmë mediat. Mediat kanë qenë të pranishme sot, procedura nga pikëpamja institucionale, brenda një organizate politike ka qenë transparente, tani ne duam ta verifikojmë këtë. Nëse kanë qenë 5004 delegatë, shifrat e deklaruara nga vetë Berisha që vetë caktoi Kuvendin, datën, komisionit e verifikimit, janë të rreme”, tha Mark Marku.