Patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Irinej, në mesazhin e tij të Krishtlindjeve Ortodokse u ka bërë thirrje të gjithë serbëve të zhvendosur, e veçanërisht atyre nga Kosova, që të bëjnë çdo gjë të mundur për t’u kthyer në shtëpitë e tyre. Në mesazhin e Krishtlindjeve, të publikuar në Internet, patriarku Irinej veçanërisht i ka përshëndetur serbët e Kosovës dhe i ka ftuar që të këmbëngulin në religjionin e tyre. Më tutje, ai ka theksuar se në vend të vullnetit të mirë dhe dashurisë ndërmjet njerëzve dhe popujve, jemi dëshmitarë të zgjerimit planetar të egoizmit, zilisë, antagonizmit, vese këto që shkaktojnë shqetësim dhe frikë për të ardhmen e botës.