Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor ka ndërmarrë disa ndryshime në lidhje me targimin e mjeteve që lëvizin në vend. Risia kryesore lidhet me prodhimin e targave të personalizuara. Mësohet se këto targa do të kenë hapësirë për shënimin e shtatë (7) gërmave në to dhe sigurisht që do të kenë një tarifë ekstra krahas asaj standarde që përdoret kur targohet makina.
Po ashtu, do të prodhohen edhe targa me format më të vogël ose katrore për ato mjete që nuk kanë hapësirë për të vendosur targën me formatin standard. Targa më të vogla do të prodhohen po ashtue dhe për motorçikletat, ndryshe nga sa është vepruar deri më tani.
Të gjitha kërkesat e drejtuesve të makinave ato motorçikletave për targa të formateve të tjera krahas atyre standarde do të shoqërohen me një tarifë ekstra.
Njoftimi i plotë
Miratohen në Qeveri ndryshimet në VKM153 (Rregullorja e Kodit Rrugor). Ndër to DPSHTRR sjell risi simpatike për qejflinjtë e timonit, nga 2022-shi:
– Për herë të parë do të kemi targë me dimensione më të vogla, për përpara, për automjetet që kanë kufizim hapësire! Targa e re e vogël do të ketë dimensionet 360 x 100 mm (si në foto)! Shërbimi do të jetë me tarifë ekstra!
– Për herë të parë do të kemi targë të personalizuar, deri me 7 karaktere (numra ose gërma) e cila për herë të parë do të jetë edhe e transferueshme nga mjeti në mjet (mbartja do të vlejë edhe për targat me përzgjedhje)! Ky shërbim do të jetë me tarifa ekstra!
– Për herë të parë do të kemi format targe amerikane, për automjetet që nuk kanë hapësirën e duhur për formatin standard, zakonisht për targën e pasme, me përmasa 305 x 153 mm, kundrejt tarifës ekstra!
– Për herë të parë targat e motoçikletave do të jenë në formatin e ri 177 x 177 mm për t’u përshtatur me hapësirën standard të prodhuesit për motomjetet! Tarifat e njëjta me sot!
– Shpejtohet kompletimi i flotës shqiptare të mjeteve rrugore me targën standard të modelit aktual. Çdo mjet rrugor i pajisur me targa para datës 01.03.2010 (me targa modeli i vjetër), që paraqitet pranë zyrave të DPSHTRR për të marrë një shërbim që lidhet me mjetin, duhet të ndryshojë targat e mjetit rrugor në targa të modelit të ri)!
Të gjitha risitë vlejnë për të gjitha kategoritë e mjeteve rrugore civile!
Në vijim, me botimin e ndryshimeve në Fletoren Zyrtare, DPSHTRR – MIE do të procedojnë me aktet rregullatore, caktimin e tarifave, dhe kryerjen e investimeve dhe zhvillimeve informatike përkatëse që do të mundësojnë zbatimin e këtyre risive! Të ardhurat ekstra nga këto shërbime do të shkojnë për modernizimin e DPSHTRR si edhe për projekte e programe speciale mbi kulturën automotive e Green, sektorin Retro, Automotoparkun e parë shqiptar dhe për aktivitete edukative mbi Sigurinë Rrugore!
/a.r