Kreu i PD-së Lulzim Basha tha se vendimi i SHBA për të shpallur Berishën “Non grata” ishte vonuar për tu bërë publik pas zgjedhjeve për të mos ndikuar në “peshoren” e 25 prillit.
“Vendimi për Berishën është vonuar me kërkesë që ai të mos vendoste në peshoren e zgjedhjeve. Unë rashë dakord.
Eshtë disktuar dhe me palën amerikane dhe me Berishën, dhe është konkluduar se është vendosur në tavolinë nga një hetim i detajuar i gjithë agjencive ligjzbatuese amerikane”, deklaroi Basha.
Kreu i PD-së Lulzim Basha tha se një nga qëllimet kryesore të Kuvendit të 18 dhjetorit është të ndahemi nga e shkuara dhe kulti i individit. Basha deklaroi në “Open” se demokratët kanë paguar një faturë pasi Partia Demokratike, për një kohë shumë të gjatë e ka lidhur fatin me Sali Berishën dhe është identifikuar me të.
Ai tha se janë marrë vendime për të ardhmen e demokratëve.
“E para e punës një nga qëllimet kryesore të Kuvendit tonë është që të ndahemi me të shkuarën dhe pjesë e të shkuarës është kulti i individit. Partia Demokratike, për një kohë shumë të gjatë e ka lidhur fatin me Sali Berishën dhe është identifikuar me Sali Berishën. Kjo ka vazhduar edhe pasi Sali Berisha dha dorëheqjen. Dhe për këtë Partia Demokratike dhe demokratët kanë paguar një faturë. E kanë paguar heshturazi.
E kanë pranuar heshturazi. Një pjesë e madhe e përgjegjësisë për të e mbaj unë sepse unë kam qenë i zgjedhur me një anëtarë një votë që e kam pranuar heshturazi. Kam pranuar heshturazi faturën e një Sali Berishe që tha lamtumirë, por që nuk iku kurrë as fizikisht, as me akte. Pra, kjo është e para, Partia Demokratike për një kohë të gjatë ka bashkëjetuar me dualizmin dhe kostot e këtij dualizmi dhe për këtë padiskutim që kam dhe unë përgjegjësinë time. E para është kjo.
E dyta, pra realiteti është ky që ne kemi tërhequr gurët e rëndë mbi shpatulla, e kemi bërë këtë, e kemi paguar këtë kosto, kemi heshtur kur e kemi paguar këtë kosto. Edhe më 25 prill, kanë qenë shumë njerëz që më kanë thënë, pavarësisht se kjo, unë nuk mund të dilja transparent dhe ta thosha këtë: Që jeni shumë të mirë, jeni djem të mirë, do vazhdojmë përpara, por me Sali Berishën dhe me Ilir Metën në krah, nuk ju votojmë. Këto janë fakte që të cilat ne nuk kemi dashur t’i afrontojmë, ndonjëherë as brenda vetes as t’i pranojmë dhe pa diskutim për këtë kemi paguar dhe vazhdojmë të paguajmë faturën.
Ka diçka shumë të thjesht këtu, ne nuk diktojmë as nuk ndikojmë dot në vendimet që merr Amerika, por është detyra jonë dhe e imja si kryetar i demokratëve, që kur vendimet të partnerit strategjik merren, me një impakt politik për familjen tonë politike. Me një impakt për sakrificën e këtyre demokratëve, unë duhet të marr një vendim për të ardhmen e demokratëve. Dhe vendimi është marrë për të ardhmen e demokratëve. Dhe mos marrja e këtij vendimi do të sillte pasoja më të rënda për demokratët”, deklaroi Basha./m.j