Deputeti Edmond Spaho i është përgjigjur drejtpërdrejt akuzave që Lulzim Basha ka hedhur ndaj tij dhe mbështetësve të tjerë të ish kryeministrit Sali Berisha përmes mediave që ai mbështet.
Përmes një postimi të gjatë në rrjetin social Facebook, Spaho kujton kohën kur Basha u fut në PD në vitin 2005, kohë kur vetë deputeti kishte 15 vjet aktivitet në skenën politike.
Më tej, deputeti i kujton kryetari të shkarkuar të gjithë mbështetjen që ai i ka dhënë në qarkun e Korçës, ku edhe ka marrë një rezultat të mirë.
“Kur Lulzim Bashën e sollën përdore në PD për të keqen e saj, në vitin 2005, unë kisha 15 vjet aktivitet politik që fillonte me themelimin e PD, më pas ZëvendësMinistër dhe Ministër në Qeverinë e parë të PD, Sekretar për Ekonominë në PD, anëtar i Kryesisë së PD dhe i dërguar politik në Qarkun e Korçës.
KOP, ku Luli u katapultua si drejtues në Mars të vitit 2005, kishte një vit që përgatiste programin e PD dhe takime me grupet e interesit për zotin Berisha, nën drejtimin tim dhe të z. Genc Juka.
Luli e filloi karrierën në PD si Minister, unë e kam filluar duke tërhequr me kavo bustin e Leninit me një grup të rinjsh kur diktatura nuk kishte rënë ende.
Në vitin 1997 kur dolëm në opozitë, vazhdova aktivitetin politik në PD duke u zgjedhur sekretar seksioni, në një seksion të njësisë 9. Tetë vite në opozitë nuk kam lënë protestë pa marrë pjesë. Kam drejtuar dhe së bashku me demokratët kemi fituar fushatën e Spartak Ngjelës për deputet në vitin 2001 dhe fushatën për Bashkinë e Korçës në vitin 2003.
Megjithëse pa merita, Luli lulëzoi dikaster më dikaster dhe në Bashkinë e Tiranës, në periudhën 2005-2013. Të tjerë, me më shumë kontribute në PD, nuk e kaluan pragun e Parlamentit dhe veçse mblidhnin vota.
Në vitin 2013, në zgjedhjet për Kryetarin e PD, e kam mbështetur Lulin në Qarkun e Korçës dhe ka fituar bindshëm.
Jam zgjedhur Nkryetar i PD jo sepse më bëri favor Luli, por se kisha 23 vjet kontribute në PD. Për fat të keq, bashkëpunimi me të ka qenë nga më të vështirët, sepse nuk të pyeste, nuk dëgjonte, nuk konsultohej, nuk mbante fjalën, i pëlqenin lëpirësit dhe servilët. Veçanërisht në periudhen 2017-2021 bashkëpunimi ka qenë pothuaj inekzistent.
Në vitin 2014 u hartua reforma territoriale. Luli na tha që do të shkojmë në takimin e Shoqatës së Bashkive dhe Komunave për të kërkuar 90-120 njësi vendore. Befas gjatë takimit, çohet dhe shkelmon të gjithë projektin duke u larguar. Me pas, premtoi që do mbledhim firma për ta ankimuar ndarjen territoriale në Gjykatën Kushtetuese. Firmat u mblodhën me mundin e demokratëve në të gjithë Shqipërinë por ankimimi nuk u bë kurrë”, shkruan ndër të tjera Spaho.