Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ka folur sot në Parlament për pr.ligjin për ratifikimin e marrëveshjes së Shqipërisë me Mbretërinë e Bashkuar për personat e dënuar.
Manja tha se marrëveshja garanton shqiptarët e dënuar në Mbretërinë e Bashkuar ta vuajnë dënimin në Shqipëri, ku mund të riintegrohen nga ana sociale dhe do mund të jenë më pranë të afërmve.
“Pr.ligji për ratifikimin e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar dhe Irlandës së Veriut për transferimin e personave të dënuar është një nga instrumentat më të rëndësishëm që po miratojmë. Kjo marrëveshje lehtëson bashkëpunimin me autoritetet gjyqësore me Mbretërinë e Bashkuar. Ratifikimi i marrëveshjes është një tregues i besimit që autoritetet gjyqësore të huaja u japin autoriteteve gjyqësore shqiptare duke mbajtur në konsideratë progresin në reformën në drejtësi. Marrëveshja përmirëson kushtet dhe rregullat për personat e dënuar nga të dy shtetet palë, në funksion të lehtësimit dhe riintegrimit social të shtetasve të njërit kontraktues që vuajnë dënimin në shtetin tjetër.
Garantojmë që shtetasit shqiptarë që janë dënuar në Mbretërinë e Bashkuar, të kenë një mundësi që në rast se i shërben riintegrimit social, të vijnë e të vuajnë dënimin në Shqipëri, ku mund të jenë më pranë të afërmve të tyre. Marrëveshja që kemi pasur ka qenë e pamundur për t’u zbatuar. Marrëveshja rregullon aspektet proceduriale që kanë qenë pengesë. Janë përmirësuar dispozitat që lidhen me detyrimin dhe përkthimin e akteve dhe dokumentacionit të nevojshëm që shtetësi marrës duhet t’i japë shtetit transferues, dhe informacionin e nevojshëm që kërkon. Janë përmirësuar parashikimet që parashikojnë vazhdimin e dënimit”, tha Manja.
g.kosovari