Në rreth 20% të rasteve, kontenierët e mbetjeve nuk dezinfektohen, duke u kthyer në burim sëmundjesh për banorët përreth”. Ky është një prej përfundimeve në të cilin ka arritur studimi i realizuar nga Instituti i Shëndetit Publik në lidhje me situatën higjienosanitare të sistemit të grumbullimit të mbetjeve të ngurta urbane në vend. ISHP, përmes një formulari kërkoi informacione nga inspektimet shëndetësore në lidhje me numrin dhe gjendjen fizike të kontenierëve publikë të vendosur, pastrimin, dezinfektimin e tyre, frekuencën e mbledhjes së mbetjeve, etj.
Ndërkohë që, pas përpunimit të informacionit, rezultoi se vetëm në 80% të rasteve kontenierët dezinfektoheshin. Përsa i përket rritjes së frekuencës së grumbullimit të mbetjeve urbane nga kontenierët publikë nga ana e bashkisë apo kompanive të pastrimit gjatë stinës së verës, rezultoi se në 20% të rasteve nuk ka rritje të frekuencës. Më konkretisht, kjo situatë vihet re në: Shëngjin, Burrel, Berat, Përrenjas e Gramsh.
Nga ana tjetër, në një të tretën e rasteve kontenierët janë në gjendje jo të mirë dhe të tejmbushur. “Në 70% të rasteve kontenierët tejmbushen nga mbetjet urbane. Kjo ndodh edhe më shumë gjatë periudhës së festave zyrtare dhe stinës së verës. Rastet të tilla mund të përmendim në qytete si: Pukë, Koplik, Lezhë, Vlorë, Berat Librazhd, Gramsh, Përmet, Këlcyrë, Kuçovë, Peqin, Elbasan, Kavajë, Lushnje e Devoll. Në 35% të rasteve kontenierët publikë të grumbullimit të mbetjeve urbane nuk janë në gjendje të mirë, pasi ato rezultojnë të vjetruar dhe të dëmtuar.
Dëmtimi i tyre vihet re në qytetet: Krumë, Durrës, Lezhë, Berat, Mallakastër, Korçë, Vlorë, Devoll e Delvinë”, thuhet në studim. Mospajisja e kontenierëve me kapak përbën një tjetër shqetësim për shëndetin publik, sidomos në stinën e verës.
SËMUNDJET
Sipas Institutit të Shëndetit Publik, përveç dëmeve që mbetjet sjellin në mjedis, në këndvështrimin higjieno-sanitar, ato mbartin probleme të rëndësishme të krijimit të kushteve për praninë e kafshëve të vogla dhe insekteve si: miza, mushkonja, minj, mace, qen, etj., të cilët shërbejnë nga ana e tyre si vektorë për transmetimin e mikrobeve dhe viruseve nga mbeturinat tek njeriu. Në këtë mënyrë, ato shkaktojnë sëmundje të ndryshme infektive si: hepatit, ethet e verdha, dizanteri, poliomelit, kolerë, etj. Po ashtu, ato sjellin edhe probleme të inkubatorit për mikrobet dhe vezët e larvave të insekteve apo proceset fermentuese.
Sipas ISHP-së, problematike është edhe situata e djegies së mbeturinave në vendin e grumbullimit fillestar, sepse si rezultat i këtij procesi, çlirohen gaze të CO, CO2, SO2, dioksinave, etj. “Kjo gjë sjell probleme në aparatin e frymëmarrjes sidomos tek fëmijët dhe tek të moshuarit”, thonë specialistët në studim.
BW