Kreu i PD-së Lulzim Basha ka dalë sot në një deklaratë për mediat, një ditë pas arrestimit të Lefter Kokës, për dosjen e inceneratorëve.
Basha tha se PD ndihet mirë që një ministër është vënë në pranga, pas denoncimeve të vazhdueshme nga forca më e madhe e opozitës. Sipas Bashës SPAK ka të gjithë mbështetjen e PD-së që të çojë deri në fund hetimet për dosjen e inceneratorëve.
“Nuk ka zot që të më kompleksojë tha Lulzim Basha”, ndërsa shtoi se do të ishte mirë që dëshmitarët e këtij korrupsionit të arrestoheshin, pasi mund të tentohet eleminimi fizik i tyre. ‘Kjo zonja (Stela Gugalli) duhet të arrestohet, pasi rrezikon eleminimin”, tha Basha.
Fjala e plotë e Bashës:
Ditën e djeshme Prokuroria e Krimeve të Rënda, SPAK-u, Struktura e Posaçme Anti Korrupsion, ka arrestuar Lefter Kokën dhe disa bashkëpunëtorë në aferën e inceneratorëve, sikundër ka shpallur në kërkim edhe disa të tjerë. Bashkë kemi komunikuar gjatë ditës së djeshme, menjëherë pasi ndodhi kjo ngjarje, dhe sot dua t’iu drejtohem të gjithë qytetarëve shqiptarë me 4 mesazhe të qarta të cilat në fakt i kemi komunikuar gjatë këtyre kohëve, nisur nga afera të ndryshme korruptive, por padiskutim nga afera më e madhe siç e kemi cilësuar ajo e e inceneratorëve dhe e mafies së inceneratorëve.
Mesazhi parë që dua të ndaj me gjithsecilin prej jush, është që për Partinë Demokratike, lufta kundër Korrupsionit, njësoj si dekriminalizimi i politikës, është jetike për Shqipërinë. Është vendimtare për Shqipërinë, për shtetin ligjor, për të drejtat e njeriut, për të ardhmen europiane që duan të gjithë shqiptarët dhe mbi të gjitha për mirëqenien e shqiptarëve.
Problemi numër një i vendit, është problemi i ekonomisë, i varfërisë, i papunësisë, pra i mungesës së mirëqenies. Problemi i mirëqenies së shqiptarëve, apo i keq qenies së shqiptarëve, është problemi i keqqeverisjes. Dhe problemi numër një i keqqeverisjes, është korrupsioni. Shqiptarët nuk janë të varfër, por janë të vjedhur. Shqipëria nuk është e varfër, po është e vjedhur.
E kemi thënë dhe e kemi përsëritur këtë gjatë këtyre viteve, dhe ja ku duket sot fare qartë se si taksat që kanë marrë nga bashkëqytetarët tanë, taksat që kanë marrë nga shqiptarët, i kanë vjedhur në bashkëpunim me njëri-tjetrin, politikanët pushtetarë. Një skemë e ndërtuar nga persona me precedent penal, pra anëtarë të Krimit të Organizuar në bashkëpunim me oligarkinë. Dhe pasi e kanë ndërtuar këtë skemë, pasi kanë vjedhur ashiqare, ditën për diell, paratë e buxhetit, pra paratë e taksave të shqiptarëve, me këto para kanë paguar edhe për të heshtur dhe mbyllur gojë.
Të gjithë jemi dëshmitarë se inceneratorët dhe mafia e inceneratorëve është, ka qenë prej muajsh një nga sponsorizuesit kryesorë për të hequr çdo lajm, për të censuruar çdo media, madje dhe për të hequr gazetarë nga puna dhe mjafton të shikosh nëse është e mundur akoma nga ana teknike, qoftë në median tradicionale, televizione, qoftë në median e re, në portale, se si e kanë mbytur me reklama inceneratorët vetëm e vetëm për të heshtur dhe mbyllur gojët e njerëzve.
Nuk kanë arritur të na mbyllin gojën ne. Me shumicën dërrmuese prej jush, sepse disa kolegë mund të kenë dyshuar, kemi qenë këtu, në këtë sallë, për 3 javë rresht duke denoncuar aferën kriminale të inceneratorëve. Nuk jemi mjaftuar me kaq, jemi drejtuar prej kohësh me thirrje dhe së fundmi edhe me hapat ligjor SPAK-ut.
Edhe një herë dua ta them, njësoj siç është i rëndësishëm dekriminalizimi për këputjen e lidhjeve të krimitme politikën, njësoj është e rëndësishme lufta kundër korrupsionit për mirëqenien e shqiptarëve. Pa rezultatet konkrete në këtë luftë, asgjë nuk mund të ndryshojë. Pa i dhënë fund pandëshkueshmërisë të të korruptuarve që vjedhin taksat e shqiptarëve, asgjë nuk mund të ndryshojë. Ndaj për Partinë Demokratike dhe për mua si kryetari i saj, misioni numër 1 është lufta kundër korrupsionit dhe kundër krimit.
Kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës shpallin luftën kundër korrupsionit prioritet kombëtar, ku Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe demokracinë e tyre të zhvilluar, shpallin se korrupsioni cenon interesat e tyre kombëtare, po ne këtu? Ku një grusht njerëzish kanë grabitur dhe gllabëruar çdo gjë, para të buxhetit, para të taksave, prona publike, pasuri kombëtare, prona private që i kanë tjetërsuar, ku ministra të qeverisë pastrojnë para dhe grabisin fonde publike, a mund të ketë gjë më të rëndësishme për ne sesa lufta kundër korrupsionit dhe lufta kundër krimit?
Vettingu i politikanëve, është në fakt vetëm një mjet për të luftuar korrupsionin dhe lidhjet me krimin. Shembull i përpjekjeve tona më serioze. Pse e kemi kërkuar Vettingun e politikanëve? Pikërisht për ta bërë më të lehtë transparencën dhe për t’ia bërë edhe më të lehtë SPAK-ut të bëjë punën e tij. Sepse politikanët dhe pushtetarët që kanë vjedhur dhe vjedhin shqiptarët, përmes Vettingut të politikanëve, dalin haptas si të tillë, si hajdut dhe përvetësues të fondeve publike, pra të fondeve të shqiptarëve.
Pra, në këtë kuadër, siç e thash dhe dje, përshëndes dhe mbështes drejtësinë në të gjitha veprimet kundër këtij armiku të mirëqenies të shqiptarëve. Partia Demokratike e mbështet pa kushte drejtësinë në luftën kundër këtij armiku të çdo shqiptari, që është korrupsioni.
Përshëndes në veçanti ata prokurorë dhe hetues të sistemit të drejtësisë që kanë filluar të godasin korrupsionin në nivelin më të lartë me gjithë presionin e madh të përditshëm siç është ushtruar edhe për këtë aferë. Presioni është ushtruar haptazi, publikisht siç do ta shikoni dhe natyrisht është ushtruar me të gjitha format dhe mënyrat e tjera edhe larg syve të publikut për të mos hetuar këtë aferë dhe afera të tjera të pushtetarëve. Ndërsa ne ashtu siç kemi bërë deri më sot ashtu do të vazhdojmë të bëjmë detyrën tonë jo vetëm me denoncime, por ku të mundemi me çdo instrument tjetër siç është hetimi parlamentar kjo është një nga arsyet që kemi ngritur Komisionin e hetimit parlamentar për aferën e incerneratorëve.
Pra, do të vazhdojmë të bëjmë punën tonë për korrupsionin galopant të qeverisë së Edi Ramës, qeveria më e korruptuar e Europës sipas raporteve ndërkombëtare. Dhe do të përkrahim dhe përshëndesim me forcë të gjitha goditjet që drejtësia i bën armikut të mirëqënies së shqiptarëve.
Natyrisht që do të donim që kjo të kishte nisur kohë më parë. Nuk dua të ndalem gjatë këtu. Më mirë vonë se sa kurrë. Natyrisht që do të donim dhe presim jo vetëm ne si opozitë, por të gjithë shqiptarët që kjo goditje të jetë e plotë dhe e vërtetë dhe të mos mjaftohet me ‘koka turku’. Natyrisht Lefter Koka nuk është thjesht një ‘kokë turku’, por është ministër i qeverisë Rama. Por, siç e thashë dje Lefter Koka nuk mund të bënte 17 vendime brenda ditës.
Lefter Koka nuk mund të mblidhte të gjithë Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste me në krye Edi Ramën tek skena e krimit që ka sekuestruar prokuroria që është landfilli dhe inceneratori i Elbasanit. E mbani mend apo jo?
Së katërti, edhe ish-qeverisja e Partisë Demokratike ka patur korrupsion. Jemi të vendosur ta luftojmë edhe atë për të ecur drejt të ardhmes që meritojnë dhe duan shqiptarët. Nuk mund të ketë ndryshim për shqiptarët pa patur një luftë pa kompromis dhe pa ngjyra politike kundër korrupsionit në nivele të larta.
E dinë shpesh kjo retorikë është bërë bajate sepse sa herë që ne kemi dalë në denoncime propaganda e kundërshtarit, por jo vetëm edhe qytetarët shqiptarë kanë folur për korrupsionin në ish-qeverisjen tonë pjesë e plagës së madhe të shoqërisë shqiptare.
Por ajo që dua t’ju them të gjithë shqiptarëve është që ne jemi të vendosur të ecim përpara, të shkëputemi nga pjesa e keqe e të kaluarës tonë dhe të zgjedhim të ardhmen që vetëm Partia Demokratike, që vetëm ne mund ta sjellim dhe ta garantojmë për shqiptarët, një të ardhme ndryshe, një të ardhme ndëshkueshmëri dhe jo me mbrojtje të politikanëve që përvetësojnë fondet e qytetarëve më të vjedhur e për rezultat më të varfër të Europës.
/a.r