Një denoncues anonim për emisionin “Stop” në Tv Klan nga qyteti i Lezhës ka treguar se ka 8 muaj që ka mbaruar burgun, pasi kishte vuajtur 6 vjet heqje lirie për një vepër penale. Ai ka thënë se ka një vajzë 7-vjeçare, të cilën e ëma e ka braktisur dhe e ia ka lënë atij kujdestarinë.
Pasi hyri në burg, vajzën e vogël ia mbajti mamaja e tij, por për shkak të gjendjes shëndetsore të gjyshes iu drejtuan Shërbimit Social në bashkinë e Lezhës dhe kjo e fundit e dërgoi në “Famullinë Lindja e Zojës” në Trashan. Por tani e ka të vështirë të takohet më me vajzën, edhe pse në burg e takonte.
Denoncuesi: I jam drejtuar emisionit “Stop” për të zgjidhur një problem në lidhje me shërbimin social të Lezhës pasi ma kanë marrë një vajzë dhe ma kanë çuar në një institucion murgeshash.
Gazetarja: Si fillon historiku i problemit?
Denoncuesi: Unë isha në burg në vitin 2015 deri në 2020-ën
Gazetarja: Sa kohë ke që ke dalë nga burgu?
Denoncuesi: Kam 9 muaj.
Gazetarja: Vajza sa vjeçe është?
Denoncuesi: Vajza është 7 vjeçe.
Gazetarja: Gjatë kohës që ke qenë 6 vite në burg, me kë ka qëndruar vajza?
Denoncuesi: Me mamin tim. Mamaja e vet hoqi dorë se nuk jam e zonja që të rrish fëmijën tim, dua që t’ia lë për përkujdesje babait të saj…
Gazetarja: Babai ishte në burg dhe për këtë arsye e ka rritur mamaja jote?
Denoncuesi: Po, mami e mbajti rreth 4 vjet gati me ato kushte që ka pasur ajo, vetë grua e vetë burrë se babain nuk e kam dhe ndihmë nuk ka pasur kushedi se çfarë. Një 90 mijë lekësh të vjetra ia ka dhënë shteti për vajzën që e ka mbajtur. Erdhi një kohë që mami ishte e sëmurë me tension dhe me mirëkuptimin tim i them mamit që shko tek shërbimi social dhe mund të kërkosh një strehë për vajzën deri në momentin që të dalë nga burgu babai i saj dhe pastaj sigurisht që do t’i përgjigjem.
Gazetarja: Një strehim provizor dhe mamaja jote e dërgon vajzën tek shërbimi social…
Denoncuesi: Po, pastaj 2 vite e dërguam në institucionin e murgeshave, e motrave në Trashan. Nga njëra anë m’u bë qejfi sepse thashë që të hajë dhë të pijë besoj se nuk i mungon dhe nuk kam vërejtje tek kjo pjesë.
Gazetarja: Gjatë kohës që ishte i izoluar në burg, kishe komunikime me vajzën?
Denoncuesi: Po, kam mbajtur kontakte dhe me “Skype”. Flisja me të, vajza më kërkonte dhe më thoshtë: O ba, hajde vetëm një minutë. S’mundem me ardh babi se jam në punë dhe nuk më japin leje. Nuk i thoja kurrë se jam në burg. Me daljen nga burgu kërkoj që vajzën unë ta takoj i lirë. Pse duhet të rri unë me roje? Unë kam qenë burg dhe kur më ka ardhur mamaja për të më takuar nuk më ka ardhur me roje mbi kokë. Vajza kur është në prezencën e tyre flet gjëra të tjera. Nuk thotë se nuk dua të flas, por thotë që kam punë dhe nxjerr justifikime të tjera. Çfarë njerëzish janë këto që nuk më lejojnë të mbaj fëmijën tim, 1, 2, 5 orë. Ku e kam çuar unë vajzën,në burg, apo më shumë se në burg?!
Për këtë rast, emisioni “Stop” iu drejtua Shërbimit Social në Bashkinë Lezhë. Anita Kadeli, specialiste në këtë strukturë ka thënë se qytetari ka 2 muaj që nuk e ka takuar vajzën, pasi pati debat mes tij dhe motrave që agravoi në dhunë e shkoi në polici. Specialistja flet me motrën në Trashan dhe me ndërhyrjen e emisionit “Stop”, qytetari realizon takimin me të bijën