Vizitën e sotme në selinë e PD-së të ambasadores amerikane Yuri Kim dhe ambasadorëve të tjerë në vend, Oerd Bylykbashi e shikon si një përpjekje të Bashës për legjitimitet, që sipas tij nuk e gjen te vota e anëtarësisë demokrate. Në studion e Debatit me Alba Alishanin, ai tha se takimi me ta është kërkuar nga Basha, i cili do ta shesë si mbështetje të ndërkombëtarëve.
“Është një takim që ka kërkuar Basha. Ambasadorët i janë përgjigjur. Basha kërkon ta shesë si mbështetje nga fuqitë e mëdha. Është i sëmurë i SHQUPI-t tashmë. Përpiqet të marrë legjitimitet jo nga vota, por nga diplomatë për të mbajtur karrigen e tij. Por ambasadorët e kanë të qartë situatën.
Basha ka nevojë për legjitimitet se nuk po e gjen te vota dhe anëtarësia është situatë e vështirë për të. Përdor sloganë si anti-amerikanizimi, që nuk ngjitin, se po të ishte kështu nuk do shihnim atë që pamë në stadium me gati 10 mijë demokratë, erdhën dhe ndoqën një nga zhvillimet më pluraliste në Shqipëri. Basha do të mbajë me gajret radhët që po i pakësohen vazhdimisht atij”, tha ai.
Sipas Bylykbashit faktori ndërkombëtar nuk ngatërrohet dhe nuk bëhet palë me procese të brendshme në parti:
“Me vizitë apo pa vizitë kortezie kurrë nuk ka shërbyer mbështetja ndërkombëtare për legjitimitet demokratik dhe vetë ndërkombëtarët nuk ngatërrohen apo të bëhen palë në procese të këtij lloji. Basha është pjesë e këtij debati të madh në PD. Do të ishte mirë që të ishte bërë pjesë e diskutimit në Kuvend.
Faktori ndërkombëtar e konsideron çështje të brendshme që zgjidhet me demokracinë partiake që është vota e anëtarësisë dhe askush nuk do mbështeste individë që kanë synim të mbajnë në kontroll një parti me 10 mijë anëtarë”.
Bylykbashi e akuzon Bashën se ka dëmtuar Partinë Demokratike me paaftësinë e tij despotizmin dhe lidhjet me Ramën. Ai thekson se kanë një plan të qartë për të shpartalluar qeverisjen e korruptuar të Ramës dhe për ta çuar PD-në drejt fitores.
“Ajo që ne bëjmë është duke u celebruar procesi më demokratik brenda një partie. Kur ne të zhbëjmë këtë despotizëm, askush nuk etiketohet për diçka kur përpiqet të prodhojë një proces demokratik. Kam patur nderin që në 31 vjetorin e rithemelimit të PD të prezantoj një statut që zhbënte centralizimin që Basha i kishte bërë PD.
Me ndryshimet në statut i kemi dhënë më shumë pushtet anëtarësisë dhe duke ia reduktuar kryetarit, Basha nuk i ka më se është shkarkuar por kushdo që do të vijë më pas.
Ajo që ne synojmë me një plan të qartë që kjo qeverisje e korruptuar e Ramës po dëmton qeverinë, ta shpartallojmë dhe të përballemi në zgjedhje me një program që na çon drejt fitores. Bashën e kanë parë jo vetëm si të paaftë por edhe të lidhur me Ramën dhe kjo e ka dëmtuar PD. Është vota që gjykon se kush është zgjidhja më e mirë. Ne kemi lidershipi që na çon në fitore”, tha ai.