Deputetja e Partisë Socialiste Blerina Gjylameti ka reaguar pas akuzave të bëra dje nga kreu i demokratëve Lulzim Basha në lidhje me skenën që u përdor në Kuvendin e 11 Dhjetorit të “Air Albania.”
Në reagimin e saj, Gjylameti shprehet me ironi se lideri i demokratëve ndodhet në një gjendje të vështirë psikologjike, por shton se “kjo nuk i justifikon halucinacionet.”
Ajo thotë se kompania e përmendur nuk ka asnjë lidhje me të apo familjarët e saj. Deputetja e PS lajmëron po ashtu se për këto deklarata do ta hedhë Lulzim Bashën në gjyq. Gjylameti sqaron edhe deklaratën e bërë me Alibeajn para dy javëve.
BLERINA GJYLAMETI NË FACEBOOK:
“E mirëkuptoj gjendjen e vështirë psikologjike në të cilën ndodhesh në këto momente, por kjo nuk i justifikon në asnjë moment halucinacionet, aq më tepër kur je dhe shpifës recidivist. Kompania që thua nuk ka asnjë lidhje me mua, e me familjarët e mi e për këtë bashkë do shihemi në gjyq me shpresën që nuk do i shpëtosh drejtesisë si çdo herë me justifikime qesharake…
Deklarata ime e para dy javëve me z. Alibeaj i referohet dhunimit, uzurpimit dhe thyerjes të çdo norme dhe ligji në fuqi duke keqpërdorur foltoren e parlamentit si edhe thirrjes së përsëritur për rikthimin në shinat e ligjshmërisë, pasi të kishte zgjidhur hallin e madh që ju kishte zënë për të treguar se kush është kryetari…
Sikleti që të ka rënë, nuk do të thotë se duhet të mashtrosh pa teklif e më pak të përfshish në farsën që ke ngritur tërë këto vite për të justifikuar humbjet, familjarët e mi apo Partinë Socialiste… Lider nuk munde të bëhesh, por nëse të ka mbetur edhe pak dinjitet, bëhu burrë dhe përballu me drejtësinë.”
/a.r