Zhvillimet e fundit në Partinë Demokratike të Shqipërisë dhe veprimet e dy njerëzve kryesorë të saj, Sali Berisha e Lulzim Basha, nuk kaluan pa u vënë re edhe në Kosovë.
Ngjarjet që ndodhen në selinë e partisë, e cila dikur ishte më e pëlqyera e kosovarëve, nuk po shihen me sy të mirë nga analistët në Prishtinë.
Milaim Zeka është i mendimit se të gjitha këto veprime janë shkatërruese për vetë PD-në.
“Edhe Sali Berisha edhe Lulzim Basha janë duke e fundosur përfundimisht PD pavarësisht nga justifikimet dhe shpjegimet e tyre PD është buzë greminës”, u shpreh Milaim Zeka.
Të njëjtin mendim ndan edhe analisti Zekirja Shabani.
“Në luftën për ta shpëtuar PD, ata nuk po e shohin sa e nevojshme është gjetja e një figure të re për të shpëtuar PD-në, pra nuk janë të vetëdijshëm për dëmin që janë duke i shkaktuar edhe demokracisë edhe opozitës për shkak se Shqipëria nuk ka opozite tjetër që mund ta kritikojë e mbajë përgjegjëse qeverinë. Pra po e bëjnë një dem të pariparueshëm për një kohë të gjatë dhe po ia zgjasin jetën Ramës në pushtet dhe po e bëjnë të pa konkurrent z. Rama në politikën shqiptare”, tha Zekirja Shabani.
E ardhmja e PD-së duhet t’u besohet të rinjve, theksojnë analistët, as Berishës e as Bashës.
“Është interesant se nuk e kam parë Sali Berishën me të njëjtin entuziazëm që e shihnim dikur, në kohërat më të vjetra kur Berisha ishte idhull i shumë kosovarëve. E pashë si një figurë të vjetër të harxhuar, që nuk mund t’i kontribuojë diçka PD, por as Basha nuk mund ta mbajë në këtë mënyrë PD-në, qoftë edhe për të bërë opozitën e nevojshme për demokratizimin e Shqipërisë, atë çka PD vazhdimisht po synon”, tha Zekirja Shabani.
“Unë jam shumë i bindur që PD do t’i ndihmonte edhe largimi i Lulzim Bashës dhe të bashkohet kjo forcë politike dhe në krye të saj të vijë një emër i tretë, i cili për qytetarët e Shqipërisë është bajagi emër anonim dhe i cili është i pastër dhe nuk figuron ne kartelat e ambasadave te huaja e sidomos në kartelat e policisë shqiptare si një njeri kriminel që është marrë me trafikim droge me trafikim të qenieve njerëzore, sepse ju e dini se pjesa dërrmuese e zyrtareve të Shqipërisë por edhe të Kosovës janë të zhytur në krime”, shtoi ai.
Sipas analistit Zeka, lufta e Berishës është e humbur ende pa nisur, pasi kundërshtar ka vetë Departamentin Amerikan të Shtetit.
“Nuk mund ta shpëtojë PD-në Sali Berisha me turmat e njerëzve për arsye se ai është në një luftë të hapur me SHBA, luftë që nuk ka shanse teorike që ta fitojë. Nuk e ka fituar as Millosheviqi, as Gadafi, as Sadam Hyseini, e lëre më ta fitojë Berisha./m.j