Teknikisht, Shqipëria kundër Zvicrës mund të mos jetë ndër ndeshjet më tërheqëse të Euro 2016, por ajo i ka intriguar të gjithë për shkak të shumë shqiptarëve që luajnë me kombëtaren helvete. Për më tepër, njëri do të ketë edhe vëllanë kundërshtar me ngjyrat kuqezi. Granit dhe Taulant Xhaka, vëllezërit kundërshtarë.
Graniti, i cili luan në Gjermani me Borussia Moenchengladbach, ka folur për duelin me Sport Bild, të cilës i deklaron se do të jetë shumë e vështirë për të të luajë kundër gjakut të tij.
“Nuk do doja të luaja kundër Shqipërisë. Vëllai kundër vëllait, nuk e di si do të jetë kjo ndjenjë që do të përjetoj në Francë kësaj vere. Ju nuk e dini se si është kur luan kundër një kombi, të cilit i detyrohesh shumë. Unë e di mirë, se e kam provuar, por nuk dëshiroja ta përsërisja më kurrë. Është sinqerisht një ndjenjë e keqe. Është shumë emocionuese. Shumë njerëz nuk e kuptojnë ende pse kam vendosur të luaj për Zvicrën. Ka njerëz të lënduar, ndaj jam fishkëllyer nga bashkatdhetarët e mi, madje pjesërisht edhe jam ofenduar në dy ndeshjet e luajtura kundër Shqipërisë”, ka deklaruar Xhaka.