SPAK duket se po funksionon! Së fundmi kjo strukturë tashmë jo më e re në Shqipëri i ka vënë prangat ish-ministrit të mjedisit Lefter Koka, pasi akuzohet për “shpërdorim detyre”, “pastrim parash” dhe “korrupsion”.
Prokuroria e Posaçme apo siç njihet SPAK, me ndihmën e ndërkombëtarëve u ngrit nga zero pas pastrimit të sistemit në drejtësi në vendin tonë, për të vënë në pranga të korruptuarit dhe për të goditur krimin e organizuar. Arrestimi i Kokës ishte një tjetër goditje e SPAK për të “paprekshmit”, ndërsa më parë disa arrestime të bujshme u bënë nga kjo strukturë.
Po kush janë disa nga goditjet më të rëndësishme të SPAK?
– Prokuroria e Posaçme ka kërkuar ekstradimin e ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, i cili u arrestua në Romë pasi ndaj tij më parë ishte lëshuar një urdhër arresti. Llalla është një nga “peshqit e mëdhenj” që arrestohet pas hetimeve të drejtësisë së re në Shqipëri. Adriatik Llalla u dënua me dy vite burg lënë në fuqi edhe nga Apeli me akuzën e refuzimit për deklarimin, mosdeklarim dhe fshehje ose deklarimi i rremë i pasurive” i cili bëhet kështu zyrtari më i lartë shqiptar në pranga.
-Për shkelje të barazisë në tender, SPAK akuzoi një kryebashkiak. Fatos Tushen e bashkisë së Lushnjes. Ai u arrestua për “shkelje të barazisë në tender dhe shpërdorim detyre”, Për të njëjtin tender për rehabilitimin e kanalit ujitës në fshatin Bishqethëm dhe Bitaj që çoi në pranga kryetarin e Bashkisë së Lushnjes, Fatos Tushe, janë arrestuar edhe nënkryetari i bashkisë, Gentian Nushi si edhe drejtori i Prokurimeve Publike, Leonard Sefa.
-SPAK-u ka çuar një tjetër kryebashkiak në Gjykatën Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar: Eduart Kaprin, Kryetar i Bashkisë së Pogradecit. Ai akuzohet nga SPAK për “shkelje të barazisë në tendera publikë dhe shpërdorim detyre” si edhe për “pengim të zhvillimit të Zgjedhjeve Lokale 2019.”
-Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar pas një hetimi gati 3 mujor, ngriti akuzën e falsifikimit edhe për kryetarin e Bashkisë Mallakastër, Qerim Ismailaj.
-Goditjet e SPAK-ut kundër korrupsionit dhe shpërdorimit vijuan me arrestimin më 10 korrik të 9 zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të Ministrisë së Brendshme për tenderin me uniformat e policisë. SPAK mësyu në Ministrinë e Brendshme më 10 korrik,ku u arrestuan ish drejtoresha e Agjencisë së Blerjeve të Përqendruar dhe bashkëpunëtorët e saj anëtarët e njësisë së prokurimit, Flutura Çekrezi, Anisa Bogdani, Ani Omuri, Kleivis Hasani dhe anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave, Kreshnik Bejkaj, Fatmir Demneri, Mariglen Buzali dhe Gëzim Mingaj. Këto arrestime janë bërë në lidhje me tenderin abuziv të 11 majit 2020 në lidhje me uniformat e policisë me vlerë 2.8 miliardë lekë, të akuzuar për shkelje të barazisë në tendera. SPAK ka përgjuar dhe vëzhguar 9 zyrtarët dhe ish-zyrtarët e Ministrisë së Brendshme, ndërsa kanë qenë bashkëpunëtorët e drejtësisë ata që kanë ‘zbërthyer’ skemën e abuzimit me tenderin. Ky tender është refuzuar të firmoset nga një anëtar i Komisionit dhe një anëtar i prokurimeve.
– Ish-zëvendësministrja e Brendshme, Rovena Voda u arrestua nën akuzën e “ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. Rovena Voda u akuzua se “ka pranuar dhe ka marrë përfitime monetare dhe materiale me qëllim që të ushtronte ndikim të paligjshëm në persona të tjerë, që ushtrojnë funksione publike për të favorizuar në mënyrë të padrejtë një vajzë në mënyrë që kjo e fundit të emërohej, punonjëse në shërbimin civil në kategorinë ekzekutive në Ministrinë e Brendshme”.
– Një tender në Radio Televizionin Shqiptar i nënshkruar në nëntor të 2018-së, ka çuar në pranga ish-drejtorin e RTSH-së, Thoma Gëllçi dhe 3 zyrtarë të këtij televizioni. SPAK ka bërë arrestimin e tyre.
-SPAK goditi edhe në Gjykatën e Krujë ku u arrestuat gjyqtarja Enkelejda Hoxha. Gjatë operacionit për arrestimin e Enkelejda Hoxhës u arrestuan edhe persona të tjerë të përfshirë në skemën e korrupsionit ku liroheshin të fortët. Emri i ish-gjyqtares lidhet me lirimin e shumë të dënuarve me burg përjetë, mes tyre edhe Endrit Dokle, Genc Tafilit ai edhe Hekuran Billa, i vrarë disa muaj më parë në Tiranë.
-Skema e pastrimit të parave ku ishin përfshirë ish bosi i naftës Rezart Taçi, kunati i tij Artur Balla dhe ish truproja e tij Bledar Lilo, u zbulua nga SPAK pas hetimeve disa mujore. Gjykata e Posaçme kundër Krimit ka lënë në burg Artur Balla dhe Bledar Lilo, të akuzuar për grup të strukturuar kriminal dhe pastrimi parash. SPAK kërkoi që të dy njerëzit e besuar të Reazart Taçit, lë liheshin pas hekurave, kërkesë që është mbështetur edhe nga GJKKO. Ato akuzohen si të përfshirë në skemën e pastrimit të 18.4 mln eurove.
/b.h