Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ka bërë një panoramë të gjerë të situatës së motit në vend. Ai tha për mediat, se deri më tani, janë evakuuar rreth 30 familje, e për fat të mirë, falë argjinaturave të instaluara prej efektivëve të FA, janë parandaluar përmbytjet e mijëra ha tokë.
Peleshi theksoi më tej, se në Urën e Mifolit, uji ka rënë me afro 15 cm, e pritet që deri nesër, duke qenë se nuk ka parashikime për shira, uji të ulet deri në masën 1 metër. Sa i përket rrugëve ai tha se deri më tani nuk ka asnjë të bllokuar, megjithatë strukturat e ngritura prej tyre janë në gatishmëri për monitorimin e situatës.
“Kemi pritur prej ditësh përshkallëzim të situatës. Kemi ngritur strukturat e gatishmërisë. Gjatë gjithë ditës kemi qenë në betejë me pasojat e përmbytjes. Rreth 30 familje janë evakuuar për të shmangur rrezikun. Në raste emergjencash kemi të parën jetën e njeriut. Kemi bërë maksimumin dhe s’kemi situata dramatike. Dy investime që janë bërë janë dy argjinatura. E para është ajo e Fitores. Pa ato argjinatura, e me këto nivele të ujit, ne do të kishim mijëra ha tokë të përmbytura. Kemi shpëtuar ato falë këtyre ndërhyrjeve.
Kemi parë nga afër si është situata te ura e Mifolit. Atje është në përmirësim, uji ka rënë rreth 15 cm. Deri në mëngjes, për shkak të disa faktorëve të tjerë, themi të kemi një ulje rreth 1 metër të ujit. Ne jemi në gatishmëri pavarësisht parashikimeve të motit. Kjo është pak a shumë ajo që kemi menduar. Në veri ka pasur reshje dëbore, e kjo ka sjellë ndërprerjen e energjisë elektrike. Sot nuk ka asnjë rrugë nacionale të bllokuar. Ditët në vazhdim s’do të jenë ditë me reshje të mëdha, gjithsesi ne jemi në krye të punëve dhe dua të qetësoj banorët përreth që s’do i mungojë ndihma jonë”, tha Peleshi./m.j