Ish-sekretari për Çështjet Ligjore në Partinë Demokratike Çlirim Gjata ka zbuluar në Publikisht në RTSH axhendën e Kuvendit Kombëtar të thirrur nesër në Kuvendin Air Albania nga ish-kryeministri Sali Berisha. Gjata tha se fillimisht do të bëhet verifikimi i mandateve të delegatëve në formë elektronike. Ai theksoi se përveç fjalimeve do të procedohet me votimin e ndryshimeve statutore. Ky proces do të pasohet me votimin për shkarkimin e Bashës dhe krijimin e një kolegj deri në zgjedhjen e kryetarit të ri.
“Kjo që do ndodhë nesër nuk është shkak i Non Gratas së Berishës. Por momentin që u ndërhy në këtë formë dhe u hoq një kolonë e fuqishme. Kishte një rrezik shpërbërje të Partisë Demokratike. Foltorja këtë gjë bëri. Ishte arritja më e madhe. E shkundi Partinë Demokratike. Nesër do bëhet verifikimi i mandateve të delegatëve. Do bëhet edhe elektronikisht që të dalin emër për emër. Pastaj vepron Këshilli Kombëtar që është organi më i lartë. Përveç fjalimeve do jetë votimi i ndryshimeve në statutore. Janë mbledhur firmat për shkarkimin e zotit Basha me votim të fshehtë. Pastaj është krijimi i një kolegji që do të drejtojë PD deri në zgjedhjen e një kryetari të ri, në varësi të vendimit”, tha Gjata.
Ai zbuloi pse është zgjedhur stadiumi për të mbledhur Kuvendin, ndërsa shtoi se shpenzimet e bëra edhe përgjatë Foltoreve do të bëhen transparente.
“Kemi zgjedhur stadiumin sepse duam të bëjmë një kuvend serioz. Që të gjithë të jenë lehtësisht të verifikueshëm dhe secili në vendin e vet të ulur. Diskutohet që mund të vijnë mbi 6000 delegatë. I kanë vendin e tyre. Do jetë vetëm një tribunë. Do jetë shumë transparente. Të gjitha shpenzimet do jenë publike. Janë nga anëtarësia, secila nga dega përkatëse ku është bërë foltorja. Nuk janë të shtrenjta këto shpenzime sa deklarohen në fushata. Serioziteti i Kuvendit është me njerëz që janë aty deri në përfundim të marrjes së të gjitha vendimeve. Kjo ishte nga ana teknike”, deklaroi Gjata. RTSH