Sa vijnë e shtohen dyshimet sa i takon burimit të parave të Sali Berishës për të mbuluar financiarisht aksionin e tij politik, pas shpalljes non grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në 19 maj 2021, por sidomos pas vendimit të Lulzim Bashës për ta përjashtuar nga grupi parlamentar demokrat. Në një kohë kur akuzon Lulzim Bashën për fshehjen e burimit të mbi 600 mijë USD për lobim në SHBA përmes qarqeve ruse, Sali Berisha mbulon me alibi, heshtje dhe mister burimin e shpenzimeve për gjyqin kundër SHBA në Francë dhe mbajtjen e rreth 27 foltoreve.
Në 10 shtator të vitit 2021, Sali Berisha ka deklaruar nga e para pasurinë e tij pranë ILDKP. Gjatë gjithë jetës së tij, Sali Berisha deklaron se ka kursyer bashkë me Liri Berishën, 190 mijë USD.
Ndërkaq, në 16 shtator, Sali Berisha nisi një aksion politik në Tiranë, tashmë jo vetëm kundër SHBA, por edhe për të rrëzuar Lulzim Bashën. Nga 16 shtatori deri më sot, Sali Berisha ka mbajtur 27 foltore, përfshirë edhe një takim në distancë në SHBA. Zhvillimi i 27 Foltoreve dikton shpenzimin e qindra mijërave euro.
Shpenzimet konsistojnë në marrja me qira e sallave të konferencave në hotele, sallave të teatrove apo qendrave të tjera publike që nga 16 shtatori. Dhjetëra roje që paguhen për sigurinë e Sali Berishës si dhe eskorta me një varg makinash luksoze, ku madje Berisha është mburrur për vargun e makinave nga Puka në Tropojë. Shpenzimet përfshijnë gjithashtu konsum karburanti të dhjetëra makinave që kanë shoqëruar Berishës nëpër Shqipëri, dekor, flamuj, banderola etj.
Cili është burimi i parave? Sot nuk ka një përgjigje të besueshme dhe të dokumentuar.
Jo vetëm kaq. Ditët e fundit, Sali Berisha zhvilloi dy ‘Foltore’ paralele, njërën në një sallë super të shtrenjtë në Tiranë dhe tjetër një sallë tjetër të prenotuar në SHBA. Dy sallat kanë kushtuar mijëra euro. Ndërkaq, drejt SHBA-ve udhëtuan edhe dy moderatore të Familjes Berisha, si dhe një grup me të besuar dhe gazetarë të Familjes.
Aksionin e tij Sali Berisha do ta vijojë me mbledhjen e një Kuvendi paralel në stadiumin ‘Air Albania’. Burime të Report TV bëjnë me dije se shoqëria që administron stadiumin, ‘Qendra Sportive Kuqezi’ dhe që është në varësi të FSHF, ka pranuar një ofertë rreth 1 milionë lekë ose mbi 8 mijë euro që ta vërë në dispozicion të ‘Foltores’ arenën e madhe të shqiptarëve.
Krahas shpenzimeve për qira, në Air Albania’ do të ngrihet një skelë gjigante, do të vendosen ekrane të mëdhenj modernë dhe materiale të tjera skenike. Kostoja tejkalon disa herë shpenzimet për qiranë.
Së fundmi një faqe në Facebook njofton të gjithë emigrantët në Gjermani për personin që duhet të kontaktohen që t’u paguhet bileta vajtje-ardhje që të vijnë më 11 dhjetor. Nuk dihet se kush do t’i paguajë avionët për të sjellë nga Gjermania njerëz për ‘Foltoren’.
Ndërkaq, para mbajtjes së Kuvendit paralel, Sali Berisha ka nisur edhe një fushatë intensive publicitare nëpër televizione, duke angazhuar edhe televizionin e familjes së tij. Fushata e ngjashme me ato të partive të politike në prag të zgjedhjeve, kushton gjithashtu mijëra euro.
Në maj 2021, Sali Berisha ka kontraktuar një nga avokatët më të njohur dhe të shtrenjtë në Evropës, Jean-yves le Borgne, në kuadër të luftës kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Jean-yves le Borgne rezulton ndër më të kërkuarit në Evropë, me klientë nga më të rëndësishmit. Nuk ka dyshim se shërbimi i avokatit francez e tejkalon vlerën e të gjitha kursimeve të Berishës.
Pyetja që lind natyrshëm është: Ku i ka gjetur paratë Sali Berisha për të mbuluar shpenzimet për avokatin francez, për 27 ‘Foltore’, eskortën, truprojat, karburantin, fushatën publicitare etj., kur të gjitha kursimet e jetës së tij janë 190 mijë USD?1
Mungesa e transparencës konfirmon edhe një herë që vendimi i pazakontë dhe ekstrem i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të shpallur non grata Familjen Berisha, është i bazuar në informacione të besueshme. Fshehja e burimit të shpenzimeve konfirmon gjithashtu se Sali Berisha nuk ka nxjerrë asnjë mësim nga goditja që mori nga Perëndimi në 19 maj 2021. Për të hequr damkën ndërkombëtare si i korruptuar, Sali Berisha po përsërit të njëjtën veprimtari, për të cilën është shpallur i korruptuar./ Shqiptarja.com- Adriatik Doci/
/b.h