Kryebashkiakja e Shkodrës Voltana Ademi duke komentuar vendimin për zgjedhjet e 30 Qershorit 2019 tha se Gjykata Kushtetuese nuk iu përgjigj kërkesave të tyre.
“Pritshmëria ime ishte që të kishte një vendimmarrje që u jepte drejtim pyetjeve tona. Por kushtetuesja është limituar në heqjen e “patates së nxehtë” duke mos reaguar përkundrejt këtyre kërkesave. Jemi kthyer në natën e 30 qershorit, nuk kemi nga gjykata një përgjigje të saktë për ato boshllëqe nëse ishin zgjedhje apo votime monopartiake”, tha Ademi në Radar Informativ me Jonida Shehun.
Ademi deklaroi se një pyetje ka mbetur pa përgjigje. Sipas saj bëhet fjalë për pyetjen që Kushtetuesja i kërkoi shoqatës së bashkive që ta paraqiste me qëllim për ta dërguar në Komisionin e Venecias, por kjo pyetje nuk u dërgua kurrë.
“Mendoj që të gjithë kemi të drejtë të flasim edhe të analizojmë edhe atë që bën Gjykata Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese humbi shansin e saj për të bërë, e them me dhimbje…. do të bëj një pyetje për të kuptuar më shumë. GJK në vendimin e aj për tu drejtuar Venecias ka kërkuar që në të paraqisnim një pyetje. Shoqata e bashkive, kam paraqitur një pyetje që nuk iu drejtua asnjëherë Venecias. Një pyetje e tillë qëndron në themel të problematikë. ‘A është dekreti i presidentit një akt me karakter të përgjithshëm, apo është akt administrativ nënligjor dhe a mund të refuzohej nga KQZ apo duhej që këto dekrete ti nënshtroheshin mbi kushtetueshmërinë? Unë akoma nuk e kam marrë vesj pse kushtetuesja nuk e dërgoi pyetjen e shoqatës së bashkive që kërkoi vetë. Kjo ka hapësirë për interpretim”, tha Ademi.
Më tej kryebashkiakja thotë se Gjykata Kushtetuese nuk është shprehur për efektet e vendimit të saj. E pyetur se çfarë do të bëjnë më tej, Ademi tha se aktualisht janë duke bërë një analizë të thellë.
“Gjykata Kushtetuese thotë se ligji i saj funksional shprehet edhe për efekte të vendimit të saj. Gjykata nuk është shprehur për efektet e vendimit të saj. Ne kemi bërë një kërkesë GJK për të marrë të gjithë dosjen e plotë që të kemi një verifikim të thelluar për hapat që do të bëjmë më tej. Na duhet një analizë e thelluar, për të vijuar më pas më tej.
Ka gjasa që nuk mund të them për Strasburg. GJK nuk legjitimoi veten. Mendoj se ne po vlerësojmë kërkesa të tjera që lidhet me ato mosmarrëveshjet ligjore. Nuk dua të ngutem, po vlerësojmë të gjithë atë që është diskutuar që të vijojmë me hapat e mëtejshme. Mbase jo me objektin e kërkesës që kemi pasur por për objekte më të imëta”, deklaroi Ademi./m.j