Nga Ben Andoni
Një lajm që qarkullon ditët e fundit, mbase dhe jo fare pa burim të qartë, thotë se: do ketë një ndërhyrje të demokratëve të 11 Dhjetorit në selinë e PD-së, të cilën e simbolizojnë me atë të grupit të 18-Dhjetorit. Duke pasur parasysh se kjo nuk është artikuluar zyrtarisht, kurse në mënyrë informale nga “Foltoret” mund të dëgjosh lloj-lloj mëtimesh për të ardhmen e Dhjetorit në PD, atëherë kjo përkohësisht bie ndesh me parimet mbi të cilat është ngritur PD-ja. Nga ana tjetër duke kujtuar historinë e protestave të saj, kjo mund të quhet një gjë normale në vazhdën e tharmit të këtij formacioni politik. “Ndihem keq teksa dëgjoj që ka mbërritur të diskutohet në ambiente mediatike një gjë e tillë. Kurrë demokratët, kudoqoftë ai, kurrë s’kanë menduar të bëjnë mësymje. Ajo seli është e demokratëve. Është shtëpi e madhe. Demokratët kanë tullën e tyre në atë seli. Është jashtë koncepti kjo historia e mësymjes. I kam dëgjuar historitë që do të shkarkohet ky dhe ai. Një shtëpi ka rregullat e veta”, shprehej në orët e fundit z.Alibeaj, por duke e lënë të papërcaktuar sesa i vërtetë është ky si lajm.
Protestat e dhunshme në Shqipëri, qoftë të inicuara nga PD-ja por edhe PS-ja e kanë tejkaluar shpesh vijën logjike. Shqetësuese është se në të vetmin moment, kur njerëzit e PD-së duhet të tregonin pjekurinë e tyre dhe brenda një aktiviteti normal të zgjidhnin pakënaqësitë dhe strukturat e partisë dhe të vendosnin për liderin e tyre, po i dhurojnë publikut një vizion sesi do të jetë demokracia jonë kur ata do rikthehen në pushtet. E kjo, jo vetëm për mosrespektimin e kanoneve të brendshme të partisë të sanksionuara në statutin e arnuar disa herë nën formën e Bashës dhe ku z.Berisha mbylli sytë. Anatemat për njëri-tjetrin, etiketimet e turpshme dhe ofenduese më shumë se të hedhin baltë mbi kundërshtarin e një race, të bëjnë të mendosh sesi mund të përballen këta me probleme madhore në vend: diskursi për të shkuarën, luftën, figurat e ndryshme. Ndaj, mëtimi për rrethimin e godinës, thjesht e ka trandur publikun dhe i ka sjellë në mëndje njerëzit e fortë të së shkuarës.
Përcjellja e përçarjes së PD-së tashmë është e shtrirë deri në bazë. Nga ana tjetër, kjo ka sjellë edhe atë pamundësi të madhe me të cilën haset sot shoqëria shqiptare: mosndryshimi i elitave politike, atë që z. Escobar e artikuloi hapur në Tiranës, kurse z. Kurti e bëri me zotësi realitet në Kosovë. Realitetet në Ballkan po tregojnë se elitat ndërrohen ngadalë, kurse në Shqipëri janë çimentuar dhe ndaj Berisha, si ish-komunist por edhe vetë kryeministri i vendit z. Rama e kanë të pamundur të lëshojnë pushtet, sepse me këtë humbasin identitetin e tyre, sipas të cilit ata vetë-konsiderohen si të pandërrueshëm. Nuk po flasim për kryetarët e partive të vogla që nuk e njohin tërheqjen dhe respektin ndaj elitave.
Berisha kërkon sërish të udhëheqë Partinë Demokratike, kur kolegët e tij kudo në Ballkan e në Lindje janë në pension ose thjesht në histori. “Fundi i komunizmit në Evropën Qendrore dhe Lindore na ofron njohuri të reja mbi mekanizmat dhe rrugët e zhvillimeve politike rreth 15 vjet pas (ri)vendosjes së zgjedhjeve konkurruese dhe të institucioneve politike përfaqësuese në këtë rajon. Pyetja është nëse cikli i zëvendësimit të elitës – konsolidimi i elitës – zëvendësimi i elitës është po aq determinist sa u postulua nga autorët klasikë të teorisë së elitës apo nëse ne mund të
gjeni konfigurime “të pamundura” ose të paktën paradoksale si stabiliteti i regjimit pa konsolidimin e elitës”, shprehet Heinrich Best, tek studimi “Stabilizing democracy in Eastern Europe under the condition of highly volatile political elites”.
“Foltoret” e Berishës na mësuan se elitat e sotme dhe në këtë rast z.Berisha është ende shumë i zoti t’i manipulojë shqiptarët, në emër të demokracisë dhe progresit dhe mbi të gjitha fuqinë e njëshit. Dhe, duket se faji më i madh s’është i gjithë nga ai, por nga një shoqëri që ende ka në kokë të rrëmbejë simbole dhe të ketë dëshirën të kapin ndërtesën e Partisë me zor. Berisha me militantët e 11 Dhjetorit na treguan se: klasa e politikanëve shqiptarë nuk ndryshon, sepse pushteti nuk quhet drejtim por sundim mbi pjesën tjetër të popullsisë. Ja pse demokracia ka kohë që e ka lënë edhe vetë Partinë Demokratike, që ende po mbahet mbi dy kolona të shtrembra, identifikuar me Bashën dhe Berishën. (Javanews)