Ish-deputeti i PD, Gazment Oketa, vetëm pak ditë më parë, bëri të ditur se ka zgjedhur të marrë pjesë në Kuvendin e 11 Dhjetorit, thirrur nga lideri historik i demokratëve, Berisha.
Ndërkohë, sot në studion e Abcnews, Oketa i pyetur se çfarë mund të ndodhë pas 11 dhjetorit, nëse Basha nuk e lëshon zyrën, ka theksuar se nuk pret që kreu në detyrë i PD të fshihet pas vulës.
Oketa deklaroi se çështja nuk ka për të shkuar në gjykatë.
Ai i drejtoi mesazhe të forta Lulzim Bashës, për të cilin tha se duhet të sillet në nivelin e një politikani perëndimor, sikurse pretendon se është.
“Çështja nuk ka për të shkuar në gjykatë.
Pavarësisht se imagjinata të na shkojë në çdo ekstrem, nuk e imagjinoj që Basha të fshihet pas një vule.
Nëse anëtarësia sot të thonë që duhet ta lirosh atë pozicion, do të ishte gjesti më normal ta bënte një gjë të tillë.
Askush nuk e pengon që Basha të tërhiqet dhe të rigarojë.
Ka plot raste që kryeministra japin dorëheqjen për shkak të një zhvillimi apo skandali, dhe kanë rikandiduar.
Nëse do vazhdojë të fshihet pas një vule, i bie që angazhimi i tij politik nuk i takonte , duhej të ishte marrë me profesionin e tij si jurist.
Është koha e vendimeve të mëdha. Ai duhet të marrë vendime, që ti përshtaten asaj që thotë se është një politikan perëndimor”-tha Oketa./m.j