Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një intervistë në News24, ka folur për dy Kuvendet Kombëtare që do të mblidhen këtë dhjetor, ai i datës 11 nga Sali Berisha dhe ai i 18 dhjetorit nga vetë Basha.
Gjatë intervistës për News24, Basha u shpreh se Kuvendi i Partisë Demokratike është më 18 dhjetor, duke theksuar se “për fat të keq ka një keqpërdorim nga zoti Berisha dhe nga një grup funksionarësh rreth tij, të cilët e kanë këtë betejë për interesin e tyre personal. Zoti Berisha e ka këtë për interesin e tij personal”.
Më tej, kryedemokrati Basha theksoi se ish-kryeministri Sali Berisha po përpiqet të instrumentalizojë, të përdorë dhe të keqpërdorë ndjeshmërinë e demokratëve për gjendjen ku ndodhet partia dhe Shqipëria.
“Mund të them se Partia Demokratike, grupi parlamentar i Partisë Demokratike, të gjitha strukturat e Partisë Demokratike, shumica dërrmuese e demokratëve që me të vërtet dhe me të drejtë duan drejtësi për masakrën e 25 prillit, duan t’i prinë rrugës së ndryshimit për të gjithë shqiptarët, jo vetëm për demokratët, janë më e pakta të mërzitur me faktin që kësaj beteje i mbivendoset një aktivitet politikë i zotit Berisha që përpiqet t’i intrumentalizojë, të përdorë dhe të keqpërdorë ndjeshmërinë e demokratëve për gjendjen ku ndodhet Partia Demokratike dhe Shqipëria pas masakrës zgjedhore të 25 prillit”, shtoi ai.
Pjesë nga intervista:
Pyetja: Në këto ditë të trazuara zoti Basha, e gjithë vëmendja është sigurisht tek sfida tek 11 dhe tek 18. Por do ta nisim tek ajo që është më herët, 11 dhjetori. Si e shikoni Kuvendin e thirrur nga “Foltorja” të mbledhur nga zoti Berisha?
Lulzim Basha: Siç e thatë ju është një foltore e thirrur në Tiranë, ku do të vijnë, ku janë ftuar ata që kanë marrë pjesë në foltoret e rretheve. Kuvendi i Partisë Demokratike, është më datë 18 dhjetor.
Pyetja: Por një Kuvend që me gjasë e kam fjalën për atë datës 11 do të mblidhet në “Air Albania”, për shkak të pjesëmarrjes së lartë siç është paralajmëruar. Nëse do të ketë shumë pjesëmarrës, në rast se do të ketë më shumë sesa numri i delegatëve zoti Basha, a mund të quhet ky një Kuvend sipas jush?
Lulzim Basha: Shikoni, pjesëmarrja në takime të ndryshme, nuk është thelbi i një Kuvendi. Kuvendi i Partisë Demokratike thirret sipas rregullave, përfaqësimi përcaktohet nga rregullat, me qëllim që Kuvendi të jetë ai që duan demokratët atje. Të jetë përfaqësuesi i vullnetit të tyre. Ndërkohë në një mbledhje të tillë mund të thirrej njerëz dhe mund të vijnë njerëz të ndryshëm. Mund të vijnë demokratë për të cilën më vjen keq që gjatë kësaj periudhe është manipuluar me ndjeshmëritë e tyre, me hidhërimin dhe me dëshpërimin e tyre për masakrën zgjedhore të 25 prillit, dëshpërimi që ka kapluar gjithë Shqipërinë pas 25 prillit, stanjacionit politikë, ekonomikë, krizës sociale, por edhe psikologjike që vërejmë kudo edhe tek mbështetësit e Partisë Socialiste. Sepse 25 prilli ka krijuar një anomali, ka thelluar të keqen që në fakt do të largohej me votë më 25 prill, nëse nuk do të ndodhte masakra zgjedhore. Dhe padiskutim që ekziston kjo ndjeshmëri. Por përveç kësaj ndjeshmërie, për fat të keq ka një keqpërdorim nga zoti Berisha dhe nga një grup funksionarësh rreth tij, të cilët e kanë këtë betejë për interesin e tyre personal. Zoti Berisha e ka këtë për interesin e tij personal. Dhe padiskutim nga kjo pikëpamje, si kryetar i Partisë Demokratike, jam i vendosur që Kuvendin e Partisë Demokratike në 18 dhjetor ta shndërrojmë në një forum vendimmarrës përfaqësues të demokratëve. Dhe nga ana tjetër t’i japim zë dhe mundësinë për një dialog dhe debat civil çokujt që ka një mendim ndryshe apo që kërkon të kontribuoj në betejën tonë, me kundërshtarin tonë të vetëm, që është regjimi i Edi Ramës.
Pyetja: Zoti Basha, kur ju vendosët mbledhjen e këtij Kuvendi, të datës 18, pse nuk u pa e udhës që të bëhej përpara datës 11, por u la një javë pas?
Lulzim Basha: Ka disa përcaktime partia mbi të cilat funksionon dhe ka disa arsye për këto përcaktime. Dhe Kuvendi Kombëtar njoftohet gjithmonë 30 ditë përpara organizimit të tij. Dhe kryesia e Partisë Demokratike, në përputhje me statutin e Partisë Demokratike, me këto përcaktime, ka vepruar në këtë mënyrë. Më 15 nëntor është mbledhur Kryesia, dhe siç është raportuar tashmë, me një shumicë dërrmuese ka vendosur për mbajtjen e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike në datën 18 dhjetor, ora 11, në Pallatin e Kongreseve.
Pyetja: A mund të ndryshonte diçka nëse do të mblidhej përpara datës 11, mund t’i paraprinte diçkaje?
Lulzim Basha: Shiko, ne patëm një Kuvend në datën 17 korrik. Një Kuvend do ta quaja të stabilizimit pas masakrës zgjedhore dhe të përcaktimit të një rruge drejt të cilës do të niste organizimi i partisë, shtrirja e aksionit opozitar, sigurisht të drejtuar nga Partia Demokratike në të gjithë damarët e shoqërisë shqiptare dhe ngritja e një vale opozitare në përballje me regjimin e Edi Ramës. Mund ta keni të qartë që në shtator, ky plan pune nisi të zbatohet me depozitimet që grupi parlamentar bëri në Kuvendin e Shqipërisë. 3 Komisione Hetimore për inceneratorët, për masakrën zgjedhore, për aferën Bechetti, propozime për ndryshimet Kushtetuese, ku përfshihet Reforma Zgjedhore, përfshihet Vettingu i politikanëve, ndarja e politikës nga krimi. Përfshihet reforma territoriale. Gjëra që kanë të bëjnë me ditën e shqiptarit, me bukën e shqiptarit dhe me familjen shqiptare: Ulja e TVSH-së nga 20 në 6% për shportën ushqimore. Fatkeqësisht këto çështje që janë shumë të rëndësishme për Shqipërinë dhe shqiptarët, që nga demokracia, që nga hetimi i krimeve zgjedhore, dënimi siç duhet i politikanëve që janë zgjedhur me votat e krimit dhe i atyre që i kanë ndihmuar, dhe ju e dini që unë dje kam njoftuar iniciativën e Partisë Demokratike për ndryshim në Kodin Penal, sipas modelit italian. Sepse dënimi me një vit është qesharak dhe vet modeli italian parashikon që një politikan që zgjidhet me votat e krimit të organizuar, me votat e një organizate kriminale, dënohet me 22 vite burg dhe i hiqet përjetë e drejta për t’u zgjedhur.
Dhe e njëjta gjë ndodh edhe me organizatat kriminale që ndihmojnë në futjen e njerëzve të tyre në politikë. Po flas për modelin italian. Pra, ne kemi shpalosur me një betejë që ka të bëjë së pari me ngjarjet e këtij viti, masakrën zgjedhore të 25 prillit, që ka ndaluar, është në një arrest kardiak Shqipëria politikisht, nga pikëpamja ekonomike. Ka një ankth pezull në Shqipëri që ndihet kudo. Dhe nuk ka të bëjë me COVID-in apo me gjendjen e rënduar ekonomike edhe të para zgjedhjeve, ka të bëjë pikërisht me faktin se një instrument i vetëm, për ndryshimin e gjendjes që janë zgjedhjet, u shkatërruan në 25 prill. Tani, gjithë kësaj beteje i mbivendoset interesi personal dhe halli personal i Sali Berishës, pas shpalljes së tij non grata. Kështu që nga kjo pikëpamje mund te them se Partia Demokratike, grupi parlamentar i Partisë Demokratike, të gjitha strukturat e Partisë Demokratike, shumica dërrmuese e demokratëve që me të vërtet dhe me të drejtë duan drejtësi për masakrën e 25 prillit, duan t’i prinë rrugës së ndryshimit për të gjithë shqiptarët, jo vetëm për demokratët, janë më e pakta të mërzitur me faktin që kësaj beteje i mbivendoset një aktivitet politikë i zotit Berisha që përpiqet t’i intrumentalizojë, të përdorë dhe të keqpërdorë ndjeshmëritë e demokratëve për gjendjen ku ndodhet Partia Demokratike dhe Shqipëria pas masakrës zgjedhore të 25 prillit.
/a.r