Zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Eugena Tomini bëri të ditur se, “deri tani janë 85.545 qytetarë që kanë marrë dozën e tretë të vaksinës anti-COVID”.
E pranishme në Komisionin e Kuvendit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, Tomini theksoi se më të prekurit nga koronavirusi rezultojnë qytetarët e grupmoshave 55-64 vjeç, të cilët përbëjnë 19% të rasteve.
“Një vend të rëndësishëm të rasteve të konfirmuara e ka zënë grupmosha 55-64 vjeç me 19% të rasteve e ndjekur nga grupmosha e re 25-34 në nivelin e 17% të rasteve me COVID”, tha ajo.
Tomini vuri në dukje se, ka një trend të qëndrueshëm të hasjes së rasteve pozitive të paktën në 4 javët e fundit, ndërsa konstatohet rënie e përhapjes.
Sipas saj, në 2 javët e fundit përhapja ka qenë në nivelin 200 rasteve për 100 mijë banorë.
Tomini tha se, nga 1 nëntori ka vijuar rekomandimi dhe zbatimi i hyrjes në fuqi të aplikimit të dozave të treta për popullatën mbi 18 vjeç.
“Për të gjithë popullatën aktualisht janë aplikuar 85.545 doza të treta”, tha Tomini.
/a.r