Mbledhja inauguruese e Kuvendit Komunal të Prishtinës ku Përparim Rama mori sot zyrtarisht detyrën e Kryetarit ka filluar me betimin e anëtarëve të Kuvendit Komunal të Prishtinës dhe kryetarit të ri, Përparim Ramës. Në ceremoninë e betimit në Kuvendin Komunal të Prishtinës e pranishme ishte edhe nëna e Ramës.
Kryekomunari i ri është betuar dhe pasi ka përfunduar kryetari i ri ka bërë gjestin e veçantë, duke i puthur dorën të ëmës, e pikërisht ky gjest nuk i ka shpëtuar mediave të pranishme.
Gjatë betimit Kryetari i ri i Prishtinës ka deklaruar se pavarësisht sfidave ka vullnetin e madh për ta shndërruar Prishtinën në një qytet të jetueshëm për të gjithë banorët e saj.
“Të nderuar asamblistë, si kryetar i Prishtinës, do të bashkëpunoj me secilin prej jush, për të mirën e kryeqytetit, për Prishtinën. Nga sot, ne iu përvishemi punëve. Prishtina do të jetë qytet i fëmijëve, të moshuarave, prindërve, sportistëve e artistëve,”– tha Rama.
“Prej sot zëri i qytetarëve të Prishtinës do të dëgjohet. Guximi dhe vullneti për më të mirën e vendit tonë është ajo çfarë na bashkoi gjatë fushatës, shpresa për një të ardhme më të mirë është forca që do të na duhet në vijim, ajo e unitetit, sinqeritetit dhe e bashkimit. Jam i vetëdijshëm që sfidat do të jenë të shumta, por vullneti për të bërë shumë punë është më i fortë se çdo sfidë, sepse është dëshira e të gjithë neve,”-shtoi Rama gjatë fjalimit të tij.
Pasi korri një fitore të madhe në zgjedhjet lokale të 17 tetorit, Përparim Rama do ta marrë sot zyrtarisht detyrën e Kryeatrit të Komunës së Prishtinës.
g.kosovari