Ndoshta mund të jetë super-ushqimi i ri më i padëshiruar i vitit 2016. Por pudingu i zi, një ushqim bazë i mëngjesit në shumë pjesë të Mbretërisë së Bashkuar, është radhitur si një nga ushqimet që pritet të “fluturojë” në popullaritet për shkak të përfitimeve ushqyese që posedon.
I mbushur me proteina, kalium, kalcium dhe magnez, si dhe të qenit praktikisht pa karbohidrate, pritet të “fluturojë” nga raftet, shkruan Daily Mail.
Gjithashtu i njëjti është i pasur edhe me hekur dhe zink – dy minerale të cilat shpesh mungojnë në dietat moderne, transmeton Koha.net. Hekuri është i nevojshëm për të bërë qelizat e gjakut më të shëndetshme dhe për të parandaluar aneminë (pagjakësinë).
Mungesa e hekurit gjithashtu çon në lodhje dhe koncentrim të dobët.
Si super-ushqime bazë të mëngjesit për vitin 2016 janë edhe algat e detit, fasulet e zeza, vaji i avokados, drithërat afrikane dhe uji i mështeknës (lloj druri).
“Ushqimi i shëndetshëm në vitin 2015 ka arritur një nivel të ri dhe këtë vit ne presim që ky trend të rritet edhe më shumë”, ka thënë Darren Beale nga MuscleFood.com.
“Ka qenë interesante të vërehet se si njerëzit po ndryshojnë zakonet e tyre në varësi të fjalëve të reja për ngrënien e pastër”.
“Disa prej ushqimeve më kryesore kanë qenë vaji i avokados dhe rrënjët e makës, por ushqimet tjera si kërpudhat dhe pudingu i zi kanë qenë një surprizë për ne”, ka shtuar ai.
“Është shumë mirë që të kesh në dispozicion këtë hulumtim të ri, përmes së cilit mund të gjenden cilësitë e fshehura në ushqim dhe mbetet vetëm të shohim se si do të pritet ky trend i ri”. /Telegrafi/