Situata e rënduar ka bërë që në Elbasan e Lezhë të mblidhen shtabet e emergjencës.
Në Elbasan, prefekti ka thirrur shtabin për t’i paraprirë, por edhe për të koordinuar veprimet në rast të emergjencave të mundshme.
Situatë e rënduar paraqitet në disa shkolla 9-vjeçare të Librazhdit, ku godinat e amortizuara e bëjnë të vështirë zhvillimin e një procesi normal mësimor. Një situatë e tillë vihet re në fshatrat Qukës dhe Gurakuq. Po në rrethin e Librazhdit probleme ka pasur edhe në furnizimin me energji elektrike.
Gjatë orëve në vijim pritet përkeqësim i motit dhe shtimi i problematikave. Shtabi i Emergjencave Civile kërkoi ndërgjegjësimin e qyterarëve për të marrë pjesë aktive në minimizimin e dëmeve duke ndihmuar grupet e punës në terren.
Edhe rrethi i Lezhës është një ndër më problematikët për sa u përket përmbytjeve ndër vite.
Përfaqësuesit e Shtabit të Emergjencave flasin për reshje me intensitet të madh në orët e mëngjesit që kanë shtuar praninë e ujit në sipërfaqe, por situata deri më tani raportohet pa probleme madhore.
Ndërkohë, në Bulqizë raportohet dalja nga shtrati i Përroit Zalli i Thatë, ujërat e të cilit kanë bllokuar dy fshatra në Fushë-Bulqizë.Reshjet e ditëve të fundit kanë nisur të japin efektet e para në kaskadën e Drinit. Autoritetet njoftojnë se ka një rritje të lehtë të nivelit në Hidrocentralin e Fierzës si pasojë e shtimit të prurjeve të lumit.