Gëzim Hidri është autor i të parit mozaik të lëvizshëm të realizuar me 120 mijë copëza guri me ngjyrë. Një pjesë e gurëve të marrë nga të gjitha kontinentet e botës, nga malet e Librazhdit dhe treva të tjera shqiptare dhe çfarë është më interesantja edhe dy dhëmballë të autorit. Veprën e tij e nisi në Angli në vitin 2006 dhe i kushtohet presidentit të Chelseat, Roman Abramoviç. Por në rrugëtimin e tij mozaiku u pasurua me shumë elementë, që sipas autorit janë një abetare apo një “kod i planetit”.
Në qendër ka emblemën e bluve, Chelsea, që çuditërisht ka një çelës që hap dyer, për të vazhduar me elementë si deti, akullnajat, perëndimi, një balenë dhe shumë detaje që kanë të gjitha një zbërthim dhe një kuptim. Ai ka bashkuar në një mozaik Lindjen me Europën. Një vepër e tillë e realizuar me gurë ngjan më shumë me një pikturë në kavalet që autori e ka plotësuar me një strukturë me dru të rrallë e të pashkatërrueshëm. Dimensioni i kësaj vepre është 258 cm gjerësi, 153 cm lartësi dhe peshon 305 kg. Është ndër të rrallët mozaikë të lëvizshëm dhe siç thotë autori është i vetmi në botë i këtij lloji. Është vizituar nga ambasadorë, turistë, kureshtarë dhe të gjithë janë interesuar për këtë mozaik që qëndron në studion e artistit tashmë i përfunduar pas 9 vjet e 9 muaj përpjekje për të sjellë një vepër unike të realizuar nga duart e një artisti.
Artisti shqiptar ka qenë nxënës i shkollës “Onufri” dhe ish-student i Edi Ramës në Institutin e Lartë të Arteve në degën Pikturë Monumentale. Ai gjithashtu është një nga të rinjtë e Grupimit të Dhjetorit 1990 në protestat për rrëzimin e sistemit. Emigroi si të gjithë shqiptarët por historia nga ku nisi mozaiku që mori 9 vjet e 9 muaj vëmëndje nisi nga Londra. Para 10 vjetësh artisti shqiptar ka kryer të gjitha punimet e mermerit në klubin e “Polos” të princit Charls, gjë për të cilën ka shkruar edhe revista e përmuajshme e skulptorëve anglezë. Në atë kohë, ai së bashku me disa miq kishte hapur një pikë mermeri, ndërsa në një cep të saj kishte ngritur një studio plot dritë ku punonte dhe ekspozonte krijimtarinë. Projektin ambicioz të quajtur “Kodi planetit”. Në një bisedë me disa kureshtarë që iu afruan mozaikut, Hidri deklaroi: “Më sillni të gjitha pikturat e Mikelanxhelos, t‘iu a kthej në mozaik”. Interesi i këtij mozaiku i ka kapërcyer kufijtë e Britanisë së Madhe. Muzeu i Arteve në Australi i ka dërguar disa ftesa për të ekspozuar punimet e tij atje. Ndërkohë, disa biznesmenë egjiptianë i kanë ofruar shqiptarit të nënshkruajë kontrata të majme për të realizuar mozaikë në shtëpitë e tyre. Së fundi duket se sytë e tij janë nga Dubai.
Fillimisht me punën e palodhur në gdhendjen e gurit e në veçanti, krijimin e mozaikëve, Hidri do të linte me gojë hapur punëdhënësit grekë kur shkoi në vendin helen si emigrant. Brenda tij jetonte arti, të cilin gjatë viteve kur mbaroi shkollimin në Tiranë nuk mundi ta shprehte. Talenti i Hidrit do të shpalosej në disa ekspozita në Kostur të Greqisë. Atje ai nisi edhe t‘u japë leksione në skulpturë studentëve grekë apo atyre anglezë që vitin nga universitete të këtij vendi.
Në Greqi, ksenofobët grekë do ta vinin në shënjestër duke linçuar punën e shqiptarit. Ata brenda një nate arritën t‘i vjedhin 21 punime skulpture vetëm e vetëm se ato ishin prodhuar nga dora një shqiptari. Kjo ndodhi nuk e dekurajoi artistin librazhdas. Së bashku me bashkëshorten dhe dy vajzat Anxhela dhe Armenisa, do të niste një emigrim të ri tashmë drejt “eldorados shqiptare”. Hidri shkoi në Angli me qëllimin e vetëm që të ishte i lirë dhe të bënte art i pa trazuar nga ksenofobët, siç i kishte ndodhur në Greqi. Por edhe në këtë vend ai nuk mundi të ishte i lirë në lëvizje. Kur i përfunduan dokumentet, anglezët e rikthyen në Shqipëri dhe nuk i rinovuan lejen e qëndrimit. Hidri u rikthye në Librazhd, hapi një punishte guri dhe nuk hoqi dorë kurrë nga vepra e tij e madhe, mozaiku i Abramoviçit.
Pas 9 vjetësh e 9 muajsh ka vendosur të gjithë gurët e mozaikut dhe vepra është gati.
Ai ka shpjeguar edhe arsyen pse zgjodhi pikërisht klubin anglez dhe pronarin rus të tij.
“Nuk është se zgjodha Abramoviçin, por ngacmimi im ishte ekipi Chelsea, pasi në gjuhën time çelësi është ai që mbyll të hapurat e hap të mbyllurat. Abramoviç në atë kohë mori këtë ekip dhe kështu u bë pjesë e mozaikut. Edhe marangozi kur e bën një derë e provon nëse mbyllet apo hapet. Për mua me një fjalë mozaiku është diçka më tepër. Mozaik do të thotë përjetësi, nuk vdes ndonjëherë. Mbyll shekujt që dihen dhe hap shekujt që nuk njihen sepse bota sot është mykosur. Kjo do të thotë se jemi në shekullin XXI dhe një njeri i suksesshëm duhet të bëjë diçka që nuk është bërë më parë pra mund të marrim një shembull nga futbolli. Nuk është vetëm Pele, këmbëarti në futboll por sot kemi edhe Messin dhe Kristiano Ronaldo. Me këtë dua të them se vërtet kam lindur 5 shekuj më pas se Da Vinçi apo Mikelanxhelo, por dua t’u tregoj atyre se maratonën e artit e kanë lënë në duar të sigurta, e kanë lënë në duart e Gëzim Hidrit tek skllavi i gurit. Unë bëra atë që nuk do të vdesë kurrë, nuk do t’i bien copat siç po i bien Mona Lizës tani, që me pak fjalë e zuri lebroza në shekullin XXI. Këtë vepër hidhe në ujë e më e bukur do të duket”.
Keni menduar ta shisni dhe keni pasur komunikim me Abramoviç?
Nga stafi i tij kam marrë dy letra që më dhanë optimizëm. Në një moment në letra shkruhet “Je për t’u përmendur në një media, artikull e miting”, gjë që padyshim me kohën do të marrë vlerën e saj.
Nuk dua të flas për vlerën monetare por si shqiptar që jam, si djalë e qelizë e këtij vendin kërkoj të dytin në botë që në arenën time të më tregojë çfarë di të bëjë. Ama unë i kërkoj botës nëse do të lindi i dyti, do të quhet i dyti, pasi i pari jam vetë. Unë do t’i tregoj atij se si bëhet një kalë i lëvizshëm që lëshon tym mbrapa dhe unë këtë dua ta bëj.
E megjithatë ju kanë ofruar një vlerë fillestare për mozaikun…
5 milion paund tha bashkëshortja e Abramoviç, por tani që përfundoi nuk di çfarë vlere do të ketë. Por për mua kjo nuk është e rëndësishme. E rëndësishme është të shfaqet i dyti në botë që mund të bëjë diçka të tillë.
Pse u desh kaq kohë për ta përfunduar?
Unë e krahasoj kohën që m’u desh me luftën e Trojës. 10 vjet zgjati lufta e gati 10 vjet edhe mozaiku im. Kurse mua pa e ditur, e kuptova më pas këtë gjë, që të zhveshësh e të plotësosh, të heqësh, m’u desh të tjerr qilimin e Penelopës e t’i jap fuqi harkut të Odisesë.
Ju njohin edhe si “skllav i gurit”. Çfarë do të thotë?
Unë jam skllav i gurit, jam bazamenti që të gjithë kalojnë lart meje. Edhe toka ka strukturë guri. Nëse nuk do të ishte mbi gurë toka do të ishte në ujë.
Ai ishte shkak ky mozaik për largimin nga Anglia 7 vjet më parë?
Sigurisht që po. Mozaiku duhet të bëhej për mbretëreshën e jo për Abramoviç. Në fakt unë e justifikova duke thënë se mbretit i dhurohet nuk i shitet dhe unë po realizoja një mozaik për ta shitur, por fundi ishte largimi. Në atë kohë gjeta lidhjet me shqipen dhe Chelsea ishte një prej tyre. Mund të përmendim edhe toponime të ndryshme si Sant Albans, Diellinline, etj. Para se të nis mozaikun kam punuar për princin Karl të Anglisë. I kam bërë klubin e polos me gjithçka prej guri. Ata bënë një budallik me mua. Më dhanë një elektrik me bateri, më futën në një tunel dhe kur më mbaroi bateria fillova të përplasesha me anët e tunelit. Pra, ata larguan nga Anglia një artist dhe nuk larguan Ilir Kumbaron…
tesheshi.com/