Dhuna në familje, krimet kundër personit, por edhe aktiviteti i krimit të organizuar kanë shënuar rritje
Ish-drejtori i policisë, Fatjon Softa, i ftuar në “Vizion Plus”, teksa vuri në dukje nivelin e uljës së efektivitetit të punës së policisë, ka treguar se çfarë duhet të ndryshojë kjo strukturë në strategjinë e saj kundër krimit.
“Situata është një rritje e krimit në familje. Kjo gjendje ka analizën dhe shpjegimet e saj. Ka ndikuar ana ekonomike pas pandemisë, konfliktet kanë agravuar jo vetëm deri në dhunë, por edhe vrasje. Duhet të ndryshojë strategjia e punës së policisë. Nëse nuk ka një bashkëveprim me komunitetin, nuk mund të kesh një rezultat. Nëse ne nuk ndiejme dorën e shtetit, kjo shoqëri do të vazhdojë të lëngojë, dhe kjo shoqëri do të ketë vetëm krime.”
Por, si është zbulueshmëria e vrasjeve mafioze?
“Zbulueshmëria e vrasjeve mafioze ka qenë e dobët, për shkak të mungesës së informacionit. Nëse do të kesh një informacion të detajuar, sa grupe kriminale ka, territorin që ata mbulojnë, kush janë lidhjet e tyre. Nëse nuk ke informacion paraprak, zbulimi është më i dobët.”
Softa ngre shqetësimin e rritjes së kriminalitetit në vend në formën më të ashpër.
“Krimi dhe kriminaliteti sot është shumë i egër, nuk janë vetëm të armatosur me armë të ‘97, por janë edhe agresivë, i bëjnë ekzekutimet në zonat e banuara, mes njerëzve.” Vizion+