Kinematografia shqiptare në zi! Këtë të premte është ndarë nga jeta në moshën 81-vjeçare aktorja e njohur Edi Luarasi-Mirdita!
Lajmi i hidhur është bërë me dije nga miqtë përmes postimeve në rrjetet sociale.
Shkrimtarja e njohur Elvira Dones shkruan: “Nga një postim i djalit të saj Eldonit sapo mësova se Edi Luarasi ka ndërruar jetë. Nuk ishte thjesht një aktore e shkëlqyer. Mbi të gjitha ajo ishte një partnere e shkëlqyeshme e jetës dhe një nënë e mrekullueshme për Lean dhe Eldonin“.
Po ashtu, një reagim ka ardhur edhe nga profesori Përparim Kabo, i cili shkruan: ““Një lajm i trisht, u fik Edi Luarasi…pushoi zemra e një gruaje fisnike, e një mirditoreje trime që i beri ball diktaturës duke mbajtur familjen dhe nderin e saj…Artistja sfidante e “Njollave te Murme”…ajo që u perndoq nga teatri dhe punoi si rrobaqepse por u rikthye me “Kthimin e Damës Plakë”…Arti ynë kombëtar humbet kështu një figurë të spikatur, pyllit të mirësisë ju rrëzua edhe një dru i bukur njerezor…Edi e dashur…ishe dhe do mbetesh model, ike dhe na le një brengë të madhe…Nga sot qielli do ketë më shumë art, më shumë dinjitet dhe më shumë dritë…Lamtumirë fisnike…
Panetoni të pret Mihali të pret…. pkabo 3 dhjetor 2021”.
Përveç dhjetra roleve në Teatër, karrierë që e nisi që në moshën 16 vjeç, ndërsa në film spikati me rolet: “Vitet e para”, «Gjurmët», dhe «Ngadhnjim mbi vdekjen». Ajo është nderuar me titullin “Artiste e merituar”.
Ajo u diplomua për aktore në 1963 dhe emërohet aktore në Teatrin Popullor. Roli i parë i saj ishte Vera në dramën “Shtëpia në bulevard” më 1963 me regjisor Kujtim Spahivoglin.
Më pas, në dhjetë vjet, vijnë një sërë rolesh të arrirë, ku veçojmë Lenën tek “Doktor Aleksi”, Kordelja tek “Mbreti Lir”, Cuca tek “Cuca e maleve”, Kristina tek “Fytyra e dytë” etj.
Ajo u martua me regjisorin e mirënjohur Mihal Luarasi, ndërsa u përjashtua nga Teatri Kombëtar në 22 janar 1974, për arsye politike./m.j