Ministrja e Shëndetësisë tha sot në ‘Kontrast’ në Report Tv se Shqipëria do të dërgojë disa mostra në laboratorë të specializuar për të pasur një përgjigje nëse variant Omicron ka ardhur edhe në vendin tonë.
Ogerta Manastirliu tha se kjo masë vjen për të qenë të parapërgatitur, për aq kohë sa vendet fqinje të Shqipërisë kanë konfirmuar pacientë me variantin në fjalë. Por sipas saj, nuk ka asnjë dyshim konkret të ndonjë rasti infektimi me Omicron.
“Më lejoni të them që situata është e qëndrueshme, e kontrolluar. Ne kemi filluar tashmë dozën e tretë ditën e djeshme, kjo për të krijuar një barrierë mbrojtëse. Deri tani nuk kemi akoma panoramën e qartë të virusit të ri sepse deri më sot ajo që dihet është se ky variant përhapet shumë më shpejt se Delta dhe deri tani 25 vende në botë e kanë verifikuar se kanë prezence të tij. Vendi i parë është Afrika e Jugut dhe të gjitha vendet kanë marrë masa për kufizime. Akoma nuk kemi të dhëna për të bërë vlerësime se sa fatalitetesh shkakton, apo çfarë roli ka vaksina. Në Shqipëri, ne kemi përgatitur gjithë serine e mostrave. Aktualisht janë procedura që bëhen në periudha të caktuara, nuk mund të themi se kemi një dyshim, por patjetër që vijojmë të përgatitemi në mënyrë që të kemi të dhëna sa më të shpejta. Janë përgatitur kampione për t’u dërguar jashtë vendit për të marrë të dhëna konkrete”, tha Manastirliu.
/b.h