Prej dy ditësh paraplegjikët kanë protestuar para Kuvendit të Shqipërisë, në kërkim të disa të drejtave të tyre që mendojnë se janë të domosdoshme për lëvizjen e tyre.
Kryeministri Edi Rama kur ka dalë nga Kuvendi, për të shkuar në ambientet e stadiumit për të bërë dozën e tretë të vaksinës është ndaluar dhe ka shkëmbyer një bisedë me ta.
Protestuesit me aftësi të kufizuara për të lëvizur i kanë kërkuar kryeministrit person shoqërues për lëvizjen e tyre dhe rishikim të të ardhurave financiare që ato marrin.
“Na jepni mundësi të jetojmë të pavarur dhe kaq, të mos bëhemi barrë. Ne i kemi bërë të ditura kërkesat edhe në institucionin që ju drejtoni, edhe në Ministrinë e Shëndetësisë”, i tha një përfaqësues i protestuesve Ramës.
Kryeministri ka premtuar se do të merren në shqyrtim kërkesat e tyre dhe ka kërjuar që ministrja e Financave të vijojë takimin me protestuesit.
“Për momentin do t’ju presë Ministrja dhe më pas unë do të komunikoj me të. Ministrja do t’ju presë brenda. Mos rrini më në shi. Për momentin takoni ministren, pastaj do të shikojmë marrëveshjen, çfarë ka marrëveshje dhe shikojmë e bëjmë”, tha Rama.
Ndërkohë pas largimit të Ramës takimin me paraplegjikët e ka vijuar ministrja e Financave Delina Ibrahimi, në një nga ambientet e Kuvendit për të shqyrtuar kërkesat e tyre.
g.kosovari