Përgjatë muajit nëntor aktivitetet ndërgjegjësuese kundër dhunës ne familje
Papunësia, emigrimi, mentaliteti i ndryshëm në breza, stresi, aksesi në internet janë disa nga faktorët që analizojnë sociologët që çojnë drejt rritjes së rasteve të dhunës në familje.
Sipas të dhënave të OKB, çdo 11 minuta në botë vritet një grua, një vajzë ose një anëtar i familjes. Ndërsa, statistikat në vendin tonë tregojnë se më shumë se gjysma e grave dhe vajzave të moshës 15-74 vjeç kanë përjetuar një ose më shumë nga format e dhunës; dhunë fizike, emocionale, seksuale deri tek përndjekja. Rastet më të shpeshta të dhunës, raportuar dhe nga INSTAT, janë kryesisht nga partneri ose i dashuri.
Rreth 66 % e grave kanë përjetuar dhunë në lidhje dashurie dhe pothuajse po aq po përjetojnë aktualisht, rreth 62 %. I njëjti raport i INSTAT raporton gjithashtu se një e treta e grave dhe vajzave, rreth 37 %, kanë përjetuar dhunë gjatë 12 muajve të fundit.
Dhuna ndaj grave dhe vajzave është një nga shkeljet më të shpeshta të të drejtave të njeriut në botë sot. Nuk njeh kufij socialë, ekonomikë apo kombëtar.
Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm në kuadrin ligjor jo vetëm me qëllim përafrimin e legjislacionit më atë të BE, por edhe në mbrojtje të viktimave të dhunës në familje. I tillë është Ligji nr.125/2020, datë 15.10.20 i cili parashikon masa të përshtatshme ligjore dhe masa të tjera të nevojshme për parandalimin dhe reduktimin e dhunës në familje në të gjitha format e saj, si dhe garantimin e mbrojtjes të pjesëtarëve të familjes, të cilët janë viktima të dhunës në familje, duke i kushtuar vëmendje të veçantë fëmijëve, të moshuarve dhe personave me aftësi të kufizuar dhe çdo individi, subjekt i këtij ligji, që paraqet nevoja të veçanta mbrojtjeje.
Por parandalimi i dhunës në familje familje nuk duhet të mbështetet vetëm në respektimin e depozitave ligjore apo e mekanizmave institucional. Shoqëria në tërësi, organizatat, grupet e interesit, media, psikologët kanë rolin e tyre në reduktimin e këtij fenomeni.
UNFPA Albania përmes një nisme 16-ditore në të gjithë territorin e vendit pati si qëllim përmes aktiviteteve të ndërgjegjësonte sa më shumë qytetarët të denoncojnë rastet e dhunës.
“Bëje botën portokalli” është një thirrje që ka për qëllim dhënien fund dhunës ndaj vajzave dhe grave duke bërë bashkë komunitetin, pushtetin vendor dhe atë qendror, parterët me qëllim që secili informojë dhe të jap kontribut për të reduktuar dhunën brenda mureve të shtëpisë.
Dhuna me bazë gjinore dëmton shëndetin, dinjitetin, sigurinë dhe autonominë e viktimave të saj, ndërkohë që mund të mbetet e fshehur në një kulturë heshtjeje. Viktimat e dhunës mund të kenë pasoja në shëndetin seksual dhe riprodhues, përfshirë shtatzënitë e detyruara dhe të padëshiruara, abortet e pasigurta, fistulat traumatike, infeksionet e transmetuara seksualisht, përfshirë HIVin, madje edhe vdekjen.
UNFPA është një nga agjensitë lider të OKB që punon për të forcuar barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave dhe për të adresuar pasojat fizike dhe emocionale të dhunës me bazë gjinore. Programet e UNFPA ofrojnë asistencë psikosociale, trajtime mjekësore dhe paketa për të mbijetuarit në rast përdhunimesh dhe promovojnë të drejtën e të gjitha grave dhe vajzave për të jetuar pa dhunë dhe të paabuzuara.