Me një “vello” të bardhë është zgjuar mëngjesin e sotëm Veriu i Shqipërisë, ndërsa është zbardhur edhe fshati turistik i Llogaras në Vlorës.
Gjatë natës dhe orët e para të mëngjesit reshjet e dëborës kanë “pushtuar” qytetin e Peshkopisë, ndërkohë që ato kanë dominuar në të gjithë qarkun e Dibrës, ku trashësia ka arritur deri në 5 cm, por fatmirësisht pa problematika.
Krahas reshjeve te shiut, rajoni i Lezhës është përfshirë dhe nga reshje dëbore, kryesisht në zonat e ulëta, ndërsa sipas informacioneve paraprake situata po mbahet nën monitorim.
Edhe në Pukë reshjet e dëborës, kanë “veshur” rrugët, por pa u bërë problematike për kalimin e automjeteve dhe qytetarëve.
Është bllokuar segmenti nga hyrja e tunelit të Murrizit, i gjithë “bay-pasi” deri në Xibër Murrize, segment i rrugës së Arbrit.
Në këtë aks po punojnë 2 mjete borëpastruese, por qarkullimi ende nuk është bërë i mundur.
Policia rrugore kërkon nga drejtuesit e mjeteve që vijnë nga Tirana drejt Dibrës, të vendosin goma dimërore dhe të përdorin zinxhirët.
Për momentin policia po monitoron segmentin dhe nuk lejon qarkullimin, duke e devijuar atë në rrugën e vjetër.
Reshjet e borës kanë nisur edhe në Kukës. Në lartësitë mbi 500 metra dëbora ka vënë një shtresë nga 5 deri ne 25 cm në zonat malore.
Rruga e Kombit dhe rrugët nacionale funksionojnë pa probleme. Mësohet se ka probleme në disa segmente rrugore në zonat rurale që lidhin njësite administrative me fshatrat, kryesisht në Topojan, Grykecaje, Bushtricë, Arrën, Kalis, Shishtavec, Lekbibaj, Margegaj, Tropojë e Vjetër.
Mëngjesin e sotëm niveli i lumit Vjosa ka rënë në 6.10 m mbi nivelin e detit ,ndërkohë që mbrëmjen e djeshme niveli arrti në kuotat 6.70, ndërsa pika kritike kur jepet alarmi është 7.30 m mbi nivelin e detit.
Prurjet e Vjosës mbrëmjen e djeshme kanë sjellë dhe përmbytje në tregun e gjësë së gjallë poshtë urës së Mifolit , por pa problem për banorët e njësisë administrative Novosele. Ndërkohë pritet që reshjet e shiut do të vijojnë në Përmet zona ku Vjosa buron atëherë duhet bërë kujdes.
g.kosovari