I ftuar në emisionin “E-zonë” në Vizion Plus”, Mamir Hodo nga Byroja Inxhinierike e Ekspertëve, ka treguar se si mund të rregullohet siguria rrugore në Tiranë, duke dhënë kryesisht disa zgjidhje mbi “shfryrjen” e trafikut në kryeqytet.
Hodo vlerëson se ka ardhur koha që të ndërtohen nënkalime në pikat më problematike të kryeqytetit, siç janë kryqëzimi i 21 Dhjetori, rrethrrotullimi te Zogu i Zi, Rruga e Elbasanit, si dhe zona pranë spitaleve.
“Po kryhen punime në segmentin rrugor të Unazës së Re. Nuk është se këto tunele që janë bërë do të shfryjnë trafikun në Tiranë, sepse këtu trafikun e kemi në formë shishe. Vjen e ngushtohet. Të gjitha këto mjete ku do të grumbullohen? Ku do të kalojnë? Atëherë do të bllokohen detyrimisht. Si do të zgjidhet kjo punë?
Ne duhet të mendojmë disa ndërhyrje urgjente. Trafiku, kryesisht bllokohet në kryqëzimet në nivel. 21 Dhjetori është ndër kryqëzimet me nivel më të ngarkuar sot. Enti pronar i rrugës, në bashkëpunim me qeverinë, me Autoritetin Rrugor Shqiptar, duhet të mendojnë të fillojnë të bëjnë urgjentisht planifikimin për bërjen e nënkalimit në rrugën 21 Dhjetori. Ajo do ketë një efekt lehtësues. Janë 3 deri në 4 pika të tjera.
Te Rruga e Elbasanit, te spitalet, por edhe rrethrrotullimi i Zogut të Zi është problematik. Këto janë në politikën afatmesme ose afatshkurtër; në politikën afatgjatë, qeveria, në bashkëpunim me donatorë të huaj duhet të mendojnë urgjentisht që të fillojë metroja e Tiranës. Metroja do të vazhdojë nga 13 deri në 15 vite. Vetëm kjo është shpëtimi i Tiranës, po flasim për Tiranën e 100 apo 200 viteve të ardhshme.”