Ministria e Financave krijon për herë të parë guidën e buxhetit për qytetarët, përmes së cilës çdo qytetar informohet mbi të dhënat e buxhetit dhe përdorimin e tij.
Ministri i Financave, Shkëlqim Cani në mesazhin e dhënë në këtë guidë thotë se ky dokument është dizenjuar në mënyrë të tillë që të mund t’ju ofrojë një IIoj “udhëtimi” përmes buxhetit të shtetit.
Sipas Canit, në faqet e tij sqarohet sesi qeveria i krijon të ardhurat dhe sesi ajo i shpenzon paratë e saj, sesi Këshilli i Ministrave dhe Kuvendi e miraton buxhetin, sesi vendi përballon sfida të tilla si: ulja e defiçitit buxhetor apo menaxhimi i borxhit publik, dhe se çfarë qeveria synon të arrijë me këtë buxhet gjatë vitit 2016.
“Përfshirja juaj në çdo hap të këtij buxheti, nënkupton rritje të efiçencës dhe efikasitetit të përdorimit të të ardhurave buxhetore në funksion të një jete më të mirë për ju dhe brezat e ardhshëm”, shkruan ministri Cani.
Në vitin 2016, qeveria do të shpenzojë 452.1 miliardë lekë. Me fjalë të tjera, rreth 156 milionë lekë për çdo burrë, grua dhe fëmijë në vendin tonë; rreth 1.3 miliardë lekë në ditë ose rreth 314 milionë lekë në minutë. Buxheti i vitit 2016 është buxheti i zhvillimit rajonal, i thellimit të reformave dhe i uljes së borxheve dhe taksave. Shumica e këtyre parave vijnë nga taksapaguesit shqiptarë.
Qeveria i shpenzon këto para për një sërë aspektesh – nga programet e mëdha siç janë sigurimet shoqërore, ndihma ekonomike, arsimi, shëndetësia, e deri tek aktivitetet e vogla. Burimet kryesore të të ardhurave për vitin 2016 pritet të jenë në zërin “të ardhura nga tatimet dhe doganat”; me 67.8% e totalit të të ardhurave. Kontributi në rritjen prej 4.9% krahasuar me vitin 2015 vjen si rrjedhojë e mirëadministrimit + 2,5 miliardë lekë, luftës ndaj informalitetit + 8.9 miliardë lekë, efektet e politikave fiskale + 1,44 miliardë lekë, kuadri makroekonomik + 5,9 miliardë lekë si dhe nga të ardhurat nga faktorë të tjerë + 2 miliardë lekë.
Në buxhetin e vitit 2016 borxhi publik do të reduktohet në 71.3% e PBB-së nga 72.2% që ishte në vitin 2015. Borxhi për frymë në vitin 2016 është 3748 mijë lekë nga 3588,6 mijë lekë që ishte në vitin 2015. Defiçiti buxhetor ulet me 0,7 mijë lekë për frymë në vitin 2016 krahasuar me vitin 2015. Objektivat makroekonomike për vitin 2016 janë, një rritje ekonomike prej 3.4 % ose 0.7 5 më e lartë se në vitin 2015, normë inflacioni 2.5 % nga 2.1 që ishte vitin që lamë pas, normë papunësie -1.3 pikë % krahasuar me vitin 2015, ndërsa të ardhurat për frymë llogariten 527.7 mijë lekë.
Balkanweb