Shkaku kryesor i aksidentit tragjik në autostradën e Strumës në Bullgari nuk duhet kërkuar në gjendjen e rrugës. Kështu tha për BNT kryetari i Shoqatës “Siguria në rrugë”.
Rumen Milanov shtoi se në vendngjarje ka inspektuar pjesën ku ndodhi aksidenti me 45 viktima. Sipas tij, zgjerimi i autostradës dhe parmakët që e rrethojnë janë në distancë të mjaftueshme nga korsia e djathtë dhe nuk duhet të shkaktojnë problem për drejtuesit pavarësisht errësirës dhe shenjave të amortizuara.
Milanov tha se pret që ekzaminimet të përfundojnë brenda dy javësh dhe të ketë qartësi për lëvizjen dhe gjendjen e autobusit para aaksidentit.
Sipas Milanov, çështja e shfaqjes së zjarrit të papritur dhe kaq intensiv mbetet pa përgjigje. Sipas tij, nafta nuk duhet të shkaktojë djegie të tilla.
Kryetari i Shoqatës së Ekspertëve, Simeon Ananiev, tha se ishte jashtëzakonisht e rëndësishme të përcaktohet se sa shpejt lëvizte autobusi pak para goditjes. Kjo do t’i përgjigjet gjithashtu pyetjeve në lidhje me shfaqjen e zjarrit më pas.
Ai theksoi se është shumë e rëndësishme të përcaktohet gjendja e autobusit, si dhe se sa i vjetër është. Këto ditë u bë e qartë se autobusi i djegur udhëtonte me dokumentet e një mjeti tjetër. Prandaj nuk janë të qarta për momentin as vjetërsia e autobusit dhe as gjendja teknike e tij.
Ananiev tha gjithashtu se nëse autobusi ishte në të vërtetë tre vjeçar, është e çuditshme që sistemet moderne të mbrojtjes inteligjente, të cilat supozojnë hapjen automatike të dyerve në rast tymi, nuk janë aktivizuar.
Hetuesit maqedonas ende nuk kanë vërtetuar se cila ishte gjendja reale e autobusit para aksidentit dhe pse automjeti ka hyrë dhe dalë shumë herë në Republikën e Maqedonisë së Veriut pa dokumentet e nevojshme.
Megjithate, nëse në përfundim të hetimeve rezulton se kushtet e rrugës janë shkaku i vdekjes së 45 personave, Bullgaria do të duhet të paguajë nga 100.000 deri në 125.000 euro për secilin prej prindërve të të aksidentuarve. Fëmijët e rritur pa prindër mund të marrin deri në 100.000 euro për një prind të humbur, dhe për një vëlla, motër, gjyshe ose gjysh të vdekur shuma është rreth 25.000 mijë euro.
Bullgaria do të duhet të paguajë 13 milionë euro për familjarët e viktimave nga aksidenti në Strumë, ku humbën jetën 45 persona, raportojnë mediat e huaja.
Nëse në përfundim të hetimeve rezulton se kushtet e rrugës janë shkaku i vdekjes së 45 personave, Bullgaria do të duhet të paguajë nga 100.000 deri në 125.000 euro për secilin prej prindërve të të aksidentuarve.
Sipas informacioneve fillestare, disa firma të mëdha ligjore bullgare kanë ofruar tashmë ndihmë për qeverinë maqedonase në mbrojtjen e interesave të të afërmve përpara një gjykate bullgare.
Aksidenti i rëndë u regjistrua rreth orës 02:00 në autostradën Struma pak ditë më parë, 40 kilometra në jug të Sofjes, ku mes viktimave ishin edhe 12 fëmijë. Për shkak të ngjarjes së rëndë, Kosova shpalli 24 nëntorin ditë zie, ndërsa Maqedonia e Veriut, ka shpallur tre ditë zie në nder të 45 viktimave që humbën jetën në aksidentin tragjik.
Shqiptarja.com