Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi ka akuzuar Monika Kryemadhin se gjatë fushatës zgjedhore nuk u duk asnjëherë në Elbasan për shkak se kandidonte në 3 qarqe.
Sekretari i Përgjithshëm i SLI-së, Endrit Braimllari i është përgjigjur deklaratave të Bardhit.
“Unë e kuptoj sikletin që ka Bardhi sepse ai ka mbi supe një ngjarje shumë të rëndë në Elbasan. Është humbja e jetës së një qytetari dhe sot ai duhet të ishte para drejtësisë për këtë çështje, duhet të kishte lënë mandatin e deputetit. Është pikërisht kjo ngjarje e rëndë ku humbi jetën një qytetar e cila shkatërroi fushatën e opozitës. Demotivoi votuesit, frikësoi votuesit në qarkun e Elbasanit, por dhe në gjithë Shqipërinë”, tha ai.
Sipas Braimllarit Bardhi ishte në vendin e ngjarjes dhe këtë duhet ta zbardhë drejtësia.
“Kjo ngjarje e rëndë e humbjes së jetës është papërgjegjshmëria e drejtuesit dhe personave në atë qark. Ja u them me bindje të plotë që Basha në fushatë ne 25 prillit kishte bërë 5 ministra të Brendshëm. Ne absolutisht nuk kemi bërë premtime të tilla se nuk ka ndarje pushteti para 25 prillit me zotin Basha. E vetmja gjë që Kryemadhi i ka kërkuar Bashës në tavolinë dhe kjo është zyrtare është të mos tradhtohet kauza e opozitës për interesa personale”, tha Braimllari për Ora News.