Isa Mustafës, tani që po e arrin moshën e pensionimit, i ka mbetur të marrë vetëm edhe librezën e PDK-së. Kjo qeveri kuislinge duhet të shkojë. Ajo i ka dy rrugë: dorëheqjen ose rrëzimin, thotë Albin Kurti. Ish-lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti, i cili ndodhet në arrest shtëpiak ka thënë se Qeverisë aktuale i ka ardhur fundi pasi sipas tij, ka mbetur të zgjedhë dy rrugë: dorëheqjen ose rrëzimin. Kurti ka treguar se 9 janari është protesta e parë që do të vazhdojë për aq sa do të jetë e nevojshme deri në largimin e Qeverisë. Në intervistë për Epokën e Re, ai ka thënë se vendi nuk ka nevojë për një Qeveri tjetër kalimtare sepse sipas tij, qeveria Thaçi- Mustafa është kalimtare.
Pas largimit të qeverisë, Kurti ka deklaruar se duhet të shkohet në zgjedhje të reja parlamentare.
Ai nuk ka përjashtuar mundësinë që tri partitë të shkojnë në zgjedhje me listë të përbashkët.
Kurti mendon se qeveria Mustafa do të bjerë para se Hashim Thaçi të bëhet president.