Mbetet ende i paqartë shkaku i shpërthimit të menjëhershëm në flakë të autobusit me 52 pasagjerë që kthehej nga Turqia dhe që shkaktoi 45 viktima shumica e të cilëve shqiptarë të Maqedonisë së veriut. Grupi i hetuesve me prokurorë nga të dyja vendet ka marrë dëshmitë e 7 të mbijetuarve ndërsa ka kryer edhe analiza të mbetjeve të karburantit.
Maqedonia e veriut nisi 3 ditë zi kombëtare ndërsa në Shkup nxënësit e shkollave kanë vendosur lule për moshatarët e tyre që humbën jetën. Janë rrëqethëse dëshmitë e familjarëve që humbën të afërmit e tyre.
Të afërmit e viktimave kërkojnë përshpejtim të identifikimit të 45 trupave të pajetë, por për këtë po kërkohet analiza e ADN-së.
“Vajza dhe dhëndri janë mes viktimave të aksidentit. Duhet të bëjmë analiza të ADN-së në Mjekësinë Ligjore. Djali I ka bërë në Shkup, kurse ne ende nuk I kemi bërë”.
Një përgjigje të qartë për këtë proces nuk ka mundur dot të japë as ministri i jashtëm i Maqedonisë së Veriut Bujar Osmani që shkoi sërish në spitalin e Sofjes.
“Një pjesë e madhe e familjeve janë edhe miq të mi, të të njohurve të mi, sepse janë nga Shkupi, nga komuna nga vij unë. As atyre nuk mund t’ua konfirmoj emrat sepse duhet të bëhet identifikimi. Për këtë duhet që zyrtarisht të na informojnë institucionet bullgare”.
Për identifikimin e viktimave kanë udhëtuar nga Shkupi në Sofje edhe 3 specialiste nga Maqedonia e Veriut. Mjekët e spitalit të Sofjes thonë se gjendja e 7 të mbijetuarve është e stabilizuar dhe jashtë rrezikut për jetën.
/a.r