Rënia e bursave në Shangai të Kinës udhëhoqi një tërheqje globale të kapitaleve, teksa shqetësimet rreth ekonomisë kineze dhe rritja e tensioneve në Lindjen e Mesme bënë që investitorët të ishin pesimistë në fillimin e vitit…
Bursat e SHBA-ve u hapën me rënie të fortë në ditën e parë të tregtimit në 2016-n, pasi të dhënat e dobëta ekonomike të Kinës rikthyen shqetësimin për ngadalësimin e rritjes ekonomike.
Indeksi industrial Dow Jones ra 190.14 pikë, ose 1.09 përqind në 17,234.89, S&P 500 humbi 23.48 pikë ose 1.15 përqind 2,020.46 dhe indeksi i përbërë i Nasdaq u tkurr me 111.48 pikë ose 2.23 përqind në 4,895.93.
Ishte rënia e bursave në Shangai të Kinës që udhëhoqi një tërheqje globale të kapitaleve, teksa shqetësimet rreth ekonomisë kineze dhe rritja e tensioneve në Lindjen e Mesme bënë që investitorët të ishin pesimistë në fillimin e vitit.
Rritja e rrezikut po shkakton një rendje të investitorëve drejt obligacioneve kombëtare, jenit dhe arit, ndërsa çmimet e metaleve ranë, por nafta u rrit.
Shqetësimet rreth shëndetit të ekonomisë së dytë më të madhe në botë u cituan si arsyeja kryesore e shitjeve. Për të dhjetin muaj radhazi, sektori prodhues i Kinës ka mbetur në territor negative, sipas të dhënave nga Caixin/Markit.
Aksionet e minierave po dëmtohen nga një rënie e shpejtë në industrinë e metaleve— bakri ra me 1.4 përqind në $4,624 për ton — si rrjedhojë e frikës për një ulje të kërkesës kineze.
Nafta erdhi në rritje, me treguesin referencë Brent që u rrit 2.7 përqind në 38.30 dollarë për fuçi, si rrjedhojë e rigjallërimit të tensioneve mes Arabisë Saudite dhe Iranit.