Sipas avokatit Spartak Ngjela, daljet e fundit të ambasadores së SHBA në Tiranë, Yuri Kim, duke përcjellë “mesazhe të koduara” drejtuar politikës, i ka qetësuar ata shqiptare që presin reformimin e skenës politike në Shqipëri, duke goditur korrupsionin.
Sulmet e Berishës në drejtim të diplomates amerikane, Ngjela i sheh si reagime të bëra si pasojë e gjendjes së panikut që ka kapluar ish-kryeministrin.
“Në këtë situatë Berisha, i korruptuari më i madh që vjen nga shteti shqiptar, ka humbur ekuilibrin nga forca e që po ushtron politika amerikane kundrejt tij; dhe prandaj, i trembur, ai po godet ambasadoren amerikane, sepse ajo është përçuese e politikës amerikane në Tiranë. Por, logjika e Saliut është fëminore. Kundrejt ambasadores amerikane në Tiranë dhe kundrejt Shteteve të Bashkuara, shohim se Berisha është në të njëjtin regjistër me të gjithë korrupsionin komunist gjatë Luftës së Ftohtë. Krejt e njëjta gjë: por e vjetër ama, dhe; brenda saj, ajo mbetet krejt fëminore si luftë. Dhe Berisha kuptohet se është në degradim të sistemit të tij logjik sa arrin deri në abstraksion jashtë kohor, tek thotë se: “Kur unë të jem kryeministër, nuk do ta pranoj ambasadoren Yuri Kim në zyrën time”. Por, pyetja që ngrihet këtu është kjo: pa votime dhe me një grusht shteti do të vijë Saliu në pushtet si kryeministër? Ja kjo është logjika e së vërtetës. Zgjedhjet janë në vitin 2025. (!) Por, degradimi i sistemit logjik të Berishës, kuptohet se është rrjedhojë e frikës së tij.”
Ngjela ka komentuar në veçanti vizitën e Kim në Tropojë, si dhe publikimin e një fotoje pak ditë më parë, teksa shfaqej duke lexuar librin “Për kë bie kambana”.
“Kurse ambasadorja Yuri Kim i shkon në Tropojë dhe tallet me Saliun e mjerë dhe të trembur njëherësh. Dhe, jo vetëm kaq, por; në Panairin e Librit në Tiranë, ajo del me romanin e Ernest Hemingueit në dorë; me romanin e tij të famshëm që titullohet: Për Kë Bie Kambana. Shumë e bukur dhe shumë e gjetur, e tepër shpresëdhënëse për shqiptarët ishte kjo gjetje këtë ditë. E pra: për kë po bie kambana? Dhe përgjigjja dihet. Po Saliu, si e priti? Me broçkulla fëminore, si gjithmonë gjatë këtyre ditëve, kur po i duket se po bisedon me shqiptarët. Mirë, mirë, por, Kambana po bie kundër tij. Kjo është koha. Të presim dhe të shikojmë picirin që po u vjen të korruptuarëve të lartë në Shqipëri. E pra: përse po bie kambana? Këtë pyetje ka ngritur Uashingtoni sot në Tiranë.”
/a.r