Së bashku me Kryeministrin Edi Rama, Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, prezantoi buxhetin për fermerët, për vitin 2022.
Në fjalën e mbajtur prej saj, Krifca vuri në pah edhe një herë mbështetjen e qeverisë ndaj këtij sektori, duke bërë me dije prioritetet e këtij buxheti për bujqësinë, si garantimi i sigurisë ushqimore, rritja e eksporteve, qëndrueshmëria e turizmit rural, digjitalizimi dhe inovacioni.
“7.1 miliardë lekë shkojnë për mbështetjen dhe investimet për zhvillimin rural ”, tha Krifca në fjalën e saj.
Gjithashtu, Ministrja informoi se rritja e eksporteve synohet të arrihet nëpërmjet nxitjes së produktivitetit, duke mbështetur dhe financuar rritjen e sipërfaqes së serave, fuqizimin e fermave të mëdha, forcimin e agro përpunimit, rritjen e mekanizimit dhe teknologjitë inovative.
Sipas Krifcës, skema kombëtare e mbështetjes do të dyfishohet vitin e ardhshëm dhe do të përmbajë prodhim të qumështit, perime në serra, bimë mjekësore dhe aromatike, ferma organike.
Më tej, Ministrja shtoi se buxheti i vitit të ardhshëm do vazhdojë t’i mbështesë fermerët me naftë dhe do të shtojë kulturën e ullirit. Ajo tha se është shumë i qartë edhe prioriteti për sigurinë ushqimore dhe se fondet na lejojnë të investojmë në kapacitete monitorimi, në përmirësimin e analizave dhe akreditime të reja laboratorike, në gjurmueshmëri dhe higjienë.
Në vitin 2022, ministrja tha se do të fillojë zbatimin Programi IPARD II, me një buxhet total prej 146 milionë euro. Këtu Krifca përmendi disa risi për bujqësinë siç janë mbështetja dhe prodhimi i bimëve medicinale, ulliri, peshkimi dhe përpunimi i tyre, sektor që nuk mbështetej më parë nga IPARD.
“Gjithashtu, nëpërmjet IPARD do të shtojmë pesë masa të reja mbështetje që përfshijnë pyllëzimin, infrastrukturën rurale, shërbimet e këshillimit, masat ndaj ndryshimeve klimatike dhe fermat organike.”, u shpreh ministrja.
Me fokus te dija, si i vetmi mekanizëm i zhvillimit, do të ndihmohen fermerët me informim dhe këshillim me një buxhet të dedikuar prej 634 milionë lekësh.
“Do të financojmë projekte për bujqësi të digjitalizuar, me vlerë rreth 103 milionë lekë, që do të ndihmojnë në ngritjen e regjistrave të fermës, të sistemeve të aplikimeve online, duke ulur barrën për aplikantët dhe rritur transparencën.”, vijoi Krifca në fjalën e saj.
Krifca përfundoi duke shprehur angazhimin total dhe bashkëpunim të plotë në shërbim të zhvillimit, nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
/b.h