Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi ka zbuluar propozimet e tij në mbledhjen e Kryesisë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Bardhi thekson se u propozoi disa prej kolegëve që të kërkonin shtesë të çështjeve që ata mendojnë se duheshin përfshirë në rendin e ditës së Kuvendit Kombëtar, për të përcjellë në rrugë institucionale zërin e pakicës që mendonte ndryshe nga Kryetari.
“Qëndrimi im në mbledhjen e Kryesisë ka qenë i qartë duke synuar bashkimin dhe jo përçarjen.
Për shkak të respektit që kam për kolegun Gent Strazimiri, po konfirmoj se është e vërtetë që në mbledhjen e Kryesisë kërkova që të merrnim të gjithë sëbashku një periudhë reflektimi për të gjetur rrugën që na bashkon dhe jo atë që na ndan. Për këtë propozova pezullimin e vendimmarrjes në mbledhje për të marrë pak më shumë kohë. Për të bashkuar dhe jo për të përçarë u propozova disa prej kolegëve që të kërkonin shtesë të çështjeve që ata mendojnë se duheshin përfshirë në rendin e ditës së Kuvendit Kombëtar, për të përcjellë në rrugë institucionale zërin e pakicës që mendonte ndryshe nga Kryetari.
Ndërsa bëja këtë propozim, kolegën ndërhynë dhe refuzuan propozimin tim, duke ripërsëritur në mbledhje qëndrimin e shpallur paraprakisht nga z. Berisha në konferencë për shtyp se “Kryesia nuk merr dot vendim, Kuvendi do të zhvillohet në datën 11 Dhjetor dhe rendi i ditës është caktuar”. Në këtë moment kam theksuar se kështu provohet që qëllimi nuk është mbajtja e Kuvendit Kombëtar, dialogu mes demokratëve dhe ndërtimi i platformës së përbashkët për rrëzimin e regjimit të Edi Ramës. Me këtë qëndrim kolegët konfirmuan se qëllimi është mbajtja peng e Partisë Demokratike për hallin personal të z. Berisha.
Askush nuk ka të drejtë të marrë peng Partinë Demokratike për hallet e tij personale. Problemet personale duhet të mbahen në shtëpi dhe jo të jenë axhendë pengmarrje për Partinë Demokratike. Partia Demokratike është e demokratëve që do të kuvendojnë në Kuvendin Kombëtar të PD më datë 18 Dhjetor 2021. Ky është Kuvendi i bashkimit të demokratëve dhe përgjigja e duhur institucionale ndaj cilitdo që prej më shumë se dy muajve i fryn vetëm zjarrit të përçarjes.”
/a.r