Akuza për provokim dhe reagime të ashpra ndaj presidentit Ilir Meta, kanë qarkulluar mëngjesin e sotëm në mediat greke për ekspozitën kushtuar Çamërisë.
“Meta shfaqet në një ekspozitë me foto dhe harta nga i ashtuquajturi ‘gjenocid i Çamërisë’ dhe gjoja ‘pushtimin e territoreve shqiptare në Greqi”, shkruhet në artikullin e publikuar nga “Protothema”.
Sipas mediave, Ambasada Greke në Shqipëri ka reaguar ashpër duke kërkuar nga presidenca ndërprerjen e kësaj ekspozite.
Ekspozita përkujtimore e gjenocidit grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë, është e aksesueshme për publikun prej disa ditësh në kangjellat e presidencës, ku çdo kalimtar përmes fotove dhe hartave mund të rikujtojë një pjesë të historisë sonë të pamohueshme.
Artikulli nga mediat greke është publikuar mëngjesin e sotëm, ndërsa ende nuk kemi një reagim zyrtar nga presidenca.
Pas akuzave për provokim nga mediave greke dhe Ambasadës së Greqisë në Tiranë lidhur me ekspozitën kushtuar Çamërisë, Presidenca është përgjigjur duke thënë se nuk jep llogari para asnjë ambasade, por vetëm para Kuvendit dhe popullit shqiptar.
Reagimi i Presidencës:
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta ka qenë i ftuar në datën 15 nëntor 2021, për të vizituar këtë ekspozitë, të organizuar nga shoqëria civile, me fotografi dhe harta të vjetra, mijëra vjeçare, të gjetura në Enciklopeditë dhe Muzetë e vendeve të ndryshme të botës, si Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Francës, Italisë, Turqisë dhe Greqisë.
Presidenti Meta e pranoi ftesën për të parë nga afër këtë ekspozitë, të organizuar jashtë ambienteve të Institucionit, pa marrë përsipër të vërtetojë saktësinë apo të bëjë interpretimin e materialeve të ekspozuara.
Çdo shtet serioz, duhet ta ketë të qartë, se Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta nuk jep llogari për vendimet dhe qëndrimet e Tij para asnjë ambasade të akredituar në Tiranë, por vetëm para Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe popullit shqiptar.
Çdo përfaqësi e huaj në Tiranë, e çdo shteti që aderon në Konventën e Vjenës, për çdo pretendim apo sqarim lidhur me aktivitetin apo qëndrimet e Presidentit të Republikës, duhet të ndjekë vetëm rrugën zyrtare, përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z Ilir Meta, siç dihet botërisht, ka qenë, është dhe do të mbetet një kundërshtar i vendosur i ndryshimit të kufijve në Ballkan.
/a.r