Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, morën pjesë në prezantimin e grupit punues për Strategjinë Kombëtare të Energjisë 2022-2031, raporton Gazeta Express.
Sektori i energjisë është sektor prioritar për Qeverinë e Republikës së Kosovës, sepse ky sektor prek çdo aspekt të jetës së qytetarëve, tha në fillim të fjalës së tij hyrëse, kryeministri Kurti.
“Në njëzet vitet e fundit, sektori i energjisë në vend nuk ka pasur pothuajse asnjë vendim në të mirë të qytetarëve, e që është bazuar në studime, analiza shumë-dimensionale e në të dhëna faktike. Ndërsa, gjatë qeverisjes sonë ne po hartojmë Strategjinë Kombëtare të Energjisë 2020-2031, e cila është e para strategji e energjisë, e cila do të bazohet në të dhëna dhe do të përpilohet nga ana e ekspertëve”, u shpreh me tej kryeministri Kurti.
Ai tha se Strategjia e Energjisë 2022-2031 është strategjia e parë e energjisë në Kosovë, e cila përpos që do të bazohet në të dhëna dhe do të përpilohet nga ana e ekspertëve, është duke u hartuar përmes proceseve demokratike e transparente.
“Për këtë arsye ne kemi marrë përsipër detyrën e rëndësishme të zhvillimit të një Strategjie Kombëtare të Energjisë dhe identifikimin e planeve të veprimit në mënyrë që sektori jonë i energjisë të niset për një tranzicion të drejtë energjetik – tranzicion i cili do të diversifikojë miksin e energjisë, do të ruajë sigurinë e furnizimit, do të promovojë energjinë e pastër dhe bashkëpunimin rajonal, në radhë të parë me Shqipërinë, por edhe me vendet tjera”, ka thënë ai.
Ai veçoi skemat mbështetëse konkurruese, si shembuj të mënyrave që do të ndihmojnë në uljen e çmimeve për zhvillimin e energjisë së pastër, sepse, siç deklaroi kryeministri Kurti, strategjia duhet po ashtu të sigurojë që energjia elektrike përveçse e qasshme, të jetë edhe e përballueshme për qytetarët, në veçanti për familjet me të ardhura të ulëta apo të mesme.
Ndërkaq, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se si Ministri e Ekonomisë jemi të angazhuar, që së bashku me grupin punues të zhvillojmë një strategji, që do të sigurojë një tranzicion energjetik e që për vizion ka dekarbonizimin deri në vitin 2050, ndërkohë që ruan sigurinë energjetike dhe të përballueshme për konsumatorët, rritë përdorimin e energjisë së pastër, dhe siguron integrim rajonal të tregut të energjisë në një mënyrë ekonomikisht të qëndrueshme. “Siguria e furnizimit me energji elektrike mbetet shtyllë kryesore e zhvillimit ekonomik”, tha ministrja Rizvanolli.
g.kosovari