Deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, gjatë fjalës së mbajtur në Komisionin e Sigurisë, u fokusua tek vrasja e 8-vjeçarit në Fier nga fqinji i tij Klement Çalamani. Alibeaj kërkoi një hetim ndaj institucioneve ligjzbatuese nëse ato e kanë kryer siç duhet punën e tyre.
Deputeti i PD-së theksoi se policia nuk është më e komunitetit, por është në shërbim të kriminelëve duke i lënë të vobektin në fatin e tyre.
“Ne nuk mund të bëjmë sikur nuk ka ndodhur asgjë. Dhe nuk mund të buzëqeshim dhe nënqeshim për një ngjarje që nuk prek vetëm një familje por prek gjithë shoqërinë. Fatkeqësia i ka ndodhur një familje, por prek gjithë shoqërinë, që është mungesa e sigurisë që mbizotëron në këtë vend. E shoqëruar dhe me mungesën e reagimit qeveritar. Ne nuk duhet të jemi të ndarë në këtë pikë, se nëse mungon siguria dhe nëse nuk ka reagim qeveritar, reagim njerëzor duhet të ketë, sidomos këtu në parlament.
Askush nuk po ja faturon askujt ngjarjen që ka ndodhur. Po kalojmë nga ngjarje në ngjarje dramatike. Që kjo ngjarje të mos harrohet ditën e tretë siç ndodh rëndomtë do të duhet ta kemi një reagim ne si komision. Minimumi është të shohim nëse e kanë bërë detyrën institucionet qeveritare. Policia është ajo që do të duhet të kontrollojë territorin dhe të evidentojë të gjithë pikat e rrezikut. E ka bërë? S’e ka bërë?”, tha Alibeaj.
Deputeti i Partisë Demokratike Luan Baçi është shprehur se pushteti vendor dhe policia nuk e studiuan kohën e vrasësit ndërsa shtoi se tashmë po bëhen formalitete. Kurse, deputeti Ferdinand Xhaferaj u shpreh se është detyrë e jona që të kërkojmë informacion nga policia dhe të pyesim se sa herë ka shkuar inspektori i zonës për të kontrolluar gjendjen e tij.
Xhaferaj po ashtu ka kërkuar në dëgjesë edhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Gledis Nanon.
“Është detyra jonë si komision sigurie të kërkojmë informacion tek policia sa herë ka shkuar inspektori i zonës. Duhet të thërritet Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, për të raportuar, sepse është një nga rastet që mund të parandalohet, personi duhet të ishte nën mbikqyrje.”
Kurse deputetët socialistë kërkuan që ngjarja të mos politizohet.
g.kosovari