Ish-kryeministri Sali Berisha ka theksuar edhe njëherë se Kuvendi i Jashtëzakonshëm i PD do mblidhet në 11 dhjetor dhe këtë nuk mund ta ndalojë dot as Edi Rama dhe as pengu i tij, kreu i PD Lulzim Basha.
Përmes një postimi në Facebook, Berisha ka nxjerrë një pjesë së fjalës së tij gjatë foltores së Fushë Krujës, duke iu referua edhe regjimit të Ramiz Alisë, i cili edhe pse nuk e donte pluralizmin, nuk arriti të krijonte një opozitë të dytë apo një PD tjetër.
Berisha, sipër videos shkruan shkurtimisht se: “Antikuvendi, turpi historik i Edi Ramës dhe pengut të tij!”.
“Ky zotëri, i komanduar nga Edi Rama shpall se do mbajë në datë 18 dhjetor anti-kuvend. Këtë nuk e bëri Ramiz Alia të them të vërtetën, nuk e donte pluralizmin dhe e ka pranuar se unë e pranova pluralizmin se druaja një skenar rumun, nuk është se e doja.
Megjithatë ai nuk e bëri këtë. Nuk krijoi dot një PD tjetër apo një opozitë të dytë për të shuar pluralizmin. Edi Rama mendon se do e bëjë këtë. Në datë 11 dhjetor, ‘revolucioni paqësor i demokratëve’ mbledh Kuvendin.
Kuvendi fuqiplotë i demokratëve, të cilët kanë marrë në dorë fatet e demokracisë në Shqipëri, fatet e veta, do të ecë pa u ndalur deri në përmbysjen e narko shtetit në Shqipëri”, shprehet Berisha./m.j