Deputeti, njëkohësisht Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi deklaron se është gati të dëshmojë në çdo kohë për atë çfarë ndodhi në Elbasan në fushatën elektorale për zgjedhjet e 25 prillit, ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani, pasi Arber Papleka, pjese e vullnetareve te PD, i armatosur zbriti nga furgoni i PD dhe qelloi duke e ekzekutuar ne vend!
Reagimi i tij erdhi pasi përfaqësuesit e PS thanë së do ta thërrasin si dëshmitar në komisionin hetimor për atë që u quajt struktura e mbrojtjes së votës.
Bardhi në reagimin e tij akuzoi PS-në se “kishte ngritur grupe paramilitare me eksponentët më të rrezikshëm të krimit të organizuar”.
Deputeti i PD, sqaron se struktura e mbrojtjes së votës, “është çdo strukturë që ka ngritur çdo parti politike në të gjithë botën, përfshirë edhe presidentin aktual të SHBA-së”.
“Ata janë qytetarë të ndershëm, vullnetarë të PD dhe nuk do t’i dorëzojmë kurrë per t’u bërë ushqim për patronazhistët tuaj. Secili prej tyre ka patur mbi shpinë gjatë katër muajve Policinë e Shtetit. Ka ardhur Policia e Shtetit dhe i ka kontrolluar me dhjetëra herë. Asnjëri prej tyre nuk ka qenë i armatosur.
PD nuk ka ngritur grupe paramilitare. Grupe paramilitare kishte ngritur PS me eksponentët më të rrezikshëm të krimit të organizuar. Nëse doni emra dhe informacione kur të vijë koha i themi këtu. Ajo që ne kemi ngritur është çdo strukturë që ka ngritur çdo parti politike në të gjithë botën, përfshirë edhe presidentin aktual të SHBA-së. Sikundër secili prej atyre vullnetarëve ka qenë pikë kontakti zyrtar me drejtuesit e Policisë së Shtetit, nuk kanë vepruar si struktura ilegale të panjohura“.
Sekretari i Përgjithshëm i PD tha se ishte i gatshëm të dëshmonte para Komisionit Hetimor.
“E kam çuar kallzim penal. Po pres të hetojë Prokuroria dhe jam i gatshëm të dal atje e të jap informacione se kush ishin trafikantët e drogës që shoqëronin nga mëngjesi në darkë Taulant Ballën dhe ekipin tuaj në Elbasan. Kush ishin njerëzit që shpalleshin në kërkim paradite nga policia dhe pasdite shoqëroheshin nga policia për të shpërndarë para’ shtëpi më shtëpi në Elbasan. Nuk kishte Polici Shteti në Elbasan kishte bandë që komandonte nga drejtori i Policisë, që ishte i pafuqishëm për t’i luftuar. Dhe ta them unë se përse?! Sepse kjo bandë ishte shtabi i Taulant Ballës në Elbasan. Dhe Taulant Balla kishte të drejtën dhe mundësi për të shkarkuar drejtorin e qarkut, siç e bëri”, tha Bardhi.
Gazment Bardhi foli edhe për një arsye që sipas tij nuk është përmendur deri më tani për largimin nga Elbasani të Drejtorit të Policisë.
“Një nga arsyet pse e shkarkoi drejtorin e qarkut ishte se nuk i bindej deri në fund Taulant Ballës. Ai i thoshte: “shko hyr në shtabin e kundërshtarit tim politik”, “mos shpall në kërkim eksponentët e krimit të organizuar.” Se ditën kur i denonconim, mbylleshin në shtëpi ata. Në darkë i mblidhte Taulant Balla u thoshte: “Më keni mua.” Të nesërmen merrnin zemër ata, masakronin, kërcënonin qytetarët, blinin vota në mes të ditës, mblidhnin karta identiteti. Ky është realiteti”, u shpreh Bardhi./m.j