Partia Demokratike shumë shpejt do të paraqesë një kallëzim në prokurori për Erion Veliajn, pasi sipas opozitës,kryebashkiaku ka miratuar një sërë vendimesh në kundërshtim me ligjin, përfshi këtu edhe buxhetin e vetë bashkisë për vitin 2016. Anëtari i PD në Këshillin Bashkiak, Fabian Topollaj tha se vendimi për rritjen me 50 milionë dollarë të taksave vendore është i pavlefshëm sepse është bërë pa u dekretuar ende ndryshimi ligjit për taksat vendore nga ana Presidentit. Me të njëjtën logjikë, thekson këshilltari i PD, vetë buxheti miratimi i buxhetit është i pavlefshëm.
Topollaj e cilëson idenksimin e çmimit të biletës së urbanit si një vendim tërësisht arbitrar që është bërë në kurriz të qytetarëve dhe në të mirë të xhepave të kryebashkiakut.
Vendimi tjetër për dhënien me konçension të Parkut Rinia për 35 vite, është i paligjshëm, sepse kontrata e miratuar është ajo që Veliajt iu la gati nga Rama, dhe bie në kundështim me ligjin e ri të 2013 për koncensionet.
“Për nder të Veliajt dita e fundvitit 2015 të shpallet dita e vjedhjes qeveritare. Partia Demokratike do të kallëzojë në Prokurorinë e Tiranës kryebashkiakun Erion Veliaj, i cili nga nguti për të mbyllur menjëherë aferat e tij prej mijëra eurosh ka miratuar vendime jo vetëm në dëm të qytetarëve të Tiranes por edhe në shkelje të ligjit. Pavarësisht se një hajdut me eksperiencë dhe gjakftohtë, nxitimi për të vjedhur dhe natën e vitit te ri ka bërë që aktet e datës 30 Dhjetor të jenë absolutisht të pavlefshme… Vendimi i Veliajt marrë në mesnatë si nje hajdut ordiner, për të rritur çmimin e biletave për qytetarët është një tjetër aferë e pastër korruptive që do të cojë në xhepat e Veliajt dhe ortakëve të tij rreth 6 milionë dollarë çdo vit. Edhe ky akt është i pavlefshëm sepse ai ka kaluar në Këshillin Bashkiak pa respektuar procedurën dhe afatet ligjore. Për nga intensiteti i hajdutërisë Veliaj ka bërë xhelozë të gjithë kabinetin Rama.”- tha Topollaj.
Po pas kësaj ka reaguar Bashkia e Tiranës e cila përmes një njoftimi për shtyp ka theksuar se anëtarët e PD në Këshillin Bashkiak sulmojnë mazhorancën dhe vendimet e saj pasi shtyhen nga inati i Lulzim Bashës, i cili etiketohet si struci që nuk bëri asgjë për kryeqytetin dhe zgjidhjen e problemeve të Tiranës.
“Fatkeqësisht, masat e guximshme të ndërmarra nga Bashkia e Tiranës u ndeshën me agresivitetin barbar të disa këshilltarëve të opozitës, të nxitur drejtpërdrejtë nga njeriu që për 4 vjet e degradoi qytetin dhe i’u fsheh si struci çdo vendimi të rëndësishëm për qytetin.
Pasi për 4 vjet nuk i dha zgjidhje as këtij problemi, e as ndonjë gjëje tjetër sepse qytetin e drejtonte nga Hollanda, tani tërbohet e nxit një gjuhë urrejtje kur sheh se zgjidhjet ishin të mundura, por Lulzim Basha s’pati kurrë guximin t’i ndërmarrë ato.
Pastrimi i qytetit, ndriçimi e zbukurimi i tij, zgjidhja e transportit urban, çerdhet e riparuara, shkollat e reja, riparimi i rrugëve e trotuareve, janë provat e paaftësisë së tij, ndaj dhe ai i sul taborët e anti-qytetarisë kundër zhvillimit të qytetit”, thotë bashkia.