Kryeparlamentarja Lindita Nikolla ka shprehur ngushëllime ndaj familjes së 8-vjeçarit në Fier nga fqinji i tij.
Në mesazhin e saj, Nikolla shkruan se pas këtij krimi makabër qëndron një histori lëshimesh dhe një zinxhir përgjegjësish, të cilat nëse do ishin shmangur, i mituri do të ishte sot në shkollë me shokët dhe shoqet e tij.
Sipas saj, autori i këtij krimi duhet të marrë një ndëshkim maksimal teksa thotë se të gjithë duhet të nxjerrin mësime nga kjo.
“Dje Shqipëria humbi një fëmijë, një engjëll të vogël tetëvjeçar. Krimi i tmerrshëm ndodhi në Fier. Pas këtij krimi qëndron një histori lëshimesh dhe një zinxhir përgjegjësish. Nëse ato do të ishin shmangur, Mateo sot do të ishte në shkollë, me shokët dhe shoqet e tij. Krimineli ka dhunuar edhe më parë dhe për një krim të rëndë ka marrë një dënim përkëdhelës. Të gjithë duhet të nxjerrim mësime nga kjo që ndodhi dhe autori i këtij krimi barbar duhet të marrë ndëshkimin maksimal. Shoqëria dhe komunitetet duhet gjithashtu të reflektojnë. Krimet ndodhin para syve edhe për shkak të mungesës së vëmendjes dhe reagimit tonë. E kam të vështirë të gjej një fjalë ngushëlluese për prindët dhe familjarët e Mateos. Asgjë nuk lehtëson dhimbjen e padurueshme të tyre. U prehsh në paqe, engjëll!” – shkruan Nikolla.
g.kosovari